EMISIONI VETTING
Nëpër këto zgavra gjigande, ku janë shqyer pjesë masive të shpateve malore, rrëfehet qasja që ne si shoqëri kemi prej dekadash për natyrën, për jetën.
Këto plagë të hapura nga guroret që zhvillojnë aktivitetin pa kriter nuk sjellin vetëm shkatërrimin e natyrës, por janë një kërcënim për të ardhmen, për brezat që vijnë.
Njollat e stërmëdha të masakrës mbi male e kodrina krijojnë një peizazh të shkatërruar, ku dallohen nënshtresat e tokës, që e kanë humbur pjesën organike prej së cilës ushqehet bimësia. Çdo copë toke e gërryer e çdo pemë e zhdukur na rikujton se raporti ynë me natyrën ka humbur baraspeshën. Çdo ditë, copat e shkulura nga malet përpunohen në fabrika aty pranë dhe më pas kamionë të panumërt ngarkohen me to për të ushqyer ndërtesat shumëkatëshe që vazhdojnë të ngrihen.
Ambicia për pasurim të shpejtë pa gjykuar pasojat e ndërtuar mbi shkatërrimin e natyrës është një rrugë pa krye, një dënim i së ardhmes sonë. Malet, pyjet e burimet natyrore nuk janë thjesht pasuri kombëtare, por janë trashëgimia jonë dhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Shumë pranë me qytetet, këto kantiere vazhdojnë të përhapen me shpejtësi në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndonëse ky fakt është bërë problematik prej kohësh për banorët pranë tyre…
“I thashë, na vdiqët me pahir. I pari i vrau se e ka marrë tjetër kush këtë, nuk e di se çfarë janë, nuk më intereson, po ai i pari i vrau policat në Urën Vajgurore, ky i dyti po i helmon njerëzit.”- shprehen për Vetting banoret e zonës.
Banorët janë dëmtuar dhe vazhdojnë të dëmtohen nga problemet që kanë sjellë guroret, shumica e të cilave funksionojnë në shkelje të çdo procedure ligjore, duke filluar nga mënyra se si e përpunojnë lëndën e parë. Tymi ndotës që ankohen banorët, kërkon përpunimin me ujë për të bllokuar ngritjen e grimcave të rrezikshme kancerogjene për shëndetin.
Sipas Olsi Nikës, ekspert mjedisi: “Të gjitha grimcat e ngelura pezull në ajër janë ato që janë shqetësuesi kryesor, të cilët në fakt nuk është se dëmtojnë vetëm botën e gjallë, por dëmtojnë drejtpërdrejt edhe njerëzit nëse këto njësi vendosen pranë qendrave të banuara.”
Prania e këtyre burimeve natyrore pranë komuniteteve po krijon vatra të reja për konfliktet sociale. Këto konflikte qëndrojnë të heshtura duke u akumuluar dhe nëpërmjet protestave mobilizojnë popullsinë rurale dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Fakt është që ujërat tona ndër të tjera dallohen, ndër indikatorët, që kanë të cilësisë se sedimentet i kanë shumë të larta. Kjo vjen nga pyjet e prera, nga bujqësia jo shumë miqësore për të mbrojtur dhe tokën dhe guroret kanë pjesën e vet”- shprehet Aleko Miho, ekspert mjedisi.
Në këtë episod, “Vetting” do të trajtojë problemet që kanë sjellë guroret në zonën e Dimalit në Berat dhe në Krujë, të cilat janë dy zonat më të dëmtuara nga kjo veprimtari.
Dhunë fizike dhe verbale ndaj banorëve nga pronarët e guroreve, përplasje dhe protesta, shkatërrim të shtëpive dhe ambientit nga eksplozivi pa kriter, ndotje të ambientit, erozion, e mbi të gjitha asgjesim total të ekosistemit natyror, të gjitha nën indiferencën e institucioneve ligjzbatuese.
Këto të fundit reagojnë vetëm kur problemi bëhet publik, duke hedhur hije dyshimi për korrupsionin që mund ti ketë fijet e fshehura midis pronarëve të guroreve dhe drejtuesve të korruptuar të institucioneve.
Dimali, qyteti që hanë guroret
Dimali, dikur i njohur si Ura-Vajgurore, është një nga zonat më të prekura nga shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore. Ky qytet mban rekord për numrin e guroreve në territorin e tij; plot 22. Kur e viziton këtë qytet, ajo që të bie në sy është jo vetëm shtrirja e guroreve përreth, por një shkatërrim total i kodrinave, ku nuk ka më thjesht shenja të shfrytëzimit, por shihet qartë dëmtimi i parikuperueshëm që i është bërë natyrës.
Në këtë zonë, aktiviteti i guroreve është zhvilluar për vite me radhë, pa u ndalur, dhe gjatë filmimeve nga ekipi i “Vetting”, një re e madhe tymi mbulonte të gjithë territorin e Dimalit, duke mbuluar edhe fshatrat e Pashallisë, Guri i Bardhë dhe Konezbaltë. Kjo ndotje ka marrë përmasa alarmante, duke krijuar një situatë dramatike për banorët e zonës. Shtëpitë që ndodhen ngjitur me guroret janë të mbuluara nga pluhuri, si pasojë e drejtpërdrejtë e aktivitetit industrial. Ky peizazh i shkatërruar është dëshmi e papërgjegjshmërisë së institucioneve ndër vite.
Pluhuri, jo vetëm që ndikon në cilësinë e ajrit, por gjithashtu ndalon plotësisht aktivitetet bujqësore në tokat e zonës mbuluar me një shtresë të dendur që ju ndalon bimëve proceset organike natyrore.
Shkenca Hyka, është banore e lagjes Pashalli në Dimal. Shtëpia e saj mbulohet e para nga tymi dhe ndjen më fort tronditjet nga eksplozivi dhe zhurma që vjen nga guroret.
Shkenca Hyka, banore e Dimalit thekson për Vetting se: “Unë jam e tmerruar, e kam vënë shtëpinë në shitje se nuk duroj dot më, jam e sëmurë, jam me mushkëri të copëtuara, më është mbushur veshka, po ta shohësh, kam fletën e analizave, më është mbushur veshka plot me kiste! Pse? Nga ky tym!”.
E prekur nga drama sociale që i kanë shkaktuar guroret, ajo rrëfen për “Vetting” se ka ardhur herët në këtë qytet për të krijuar kushte më të mira, por hapja e guroreve I ka sjellë pasoja të rënda shëndetësore dhe ekonomike për të dhe familjen e saj.
“Nga shpërthimet janë hapur muret, po hë ç’i kall dreqin, po hë themi hajde i suvatojmë vit për vit, por problem kemi tymin. Tymin kemi më shumë problem, se këtu nuk është një o bir, ne jemi të rrethuar me gurore. Ja tek e ke, ja urdhëro tymi! Ndizet ajo, ndizet ky, ne nuk jemi nga ata që guroret mos të punojnë.”- thekson Hyka.
Edhe pse shpreson të riparojë shkatërrimet e shtëpisë nga shpërthimet me eksploziv, Shkenca Hyka kërkon nga bizneset e guroreve që të respektojnë ligjin, pasi përpunimi i gurëve duhet të bëhet nëpërmjet ujit për të shmangur ndotjen.
“Po bëhemi problematikë, unë javën e parë, dy herë në polici, as që u ndjenë fare, puna vazhdoi normalisht, që nuk dilja dot.
Urdhëro me mua, hajde gjer në ballkon, shiko ballkonin edhe do më japësh të drejtë.”- shprehet ajo.
Duke folur për problemet me ndotjen nga guroret, Shkenca Hyka kujtohet që kishte nxjerrë për t’u tharë rrobat e lara të nipit të vogël dhe me nxitim tenton t’i heqi pasi pluhuri ka pushtuar komplet zonën.
“Këtu erdhëm për një jetë më të mirë, u shkatërruam me fëmijë, me shtëpi, me…”
Në oborrin e kësaj shtëpie ka disa hardhi që kanë prodhuar rrush, por sipas banores nuk mund të konsumohen.
Sipas ekspertit te mjedisit, Olsi Nika: “E gjitha ajo grimcë e ngelur pezull hyn në mushkëritë tona dhe patjetër ndikojnë te bimët, duke i veshur, duke pamundësuar ose duke minimizuar ritmin e frymëkëmbimit, të fotosintezës, të frymëmarrjes së bimëve. Ka një ndikim të jashtëzakonshëm…është shpeshherë difuz, nuk përqendrohet jo vetëm në pikën ku është gurorja, por shtrihet disa kilometra më tej”.
Në momentin që largohemi nga Shkenca Hyka për të intervistuar një banor aty pranë që është duke punuar tokën, guroret ndërpresin veprimtarinë, pasi janë sinjalizuar nga kamionat për prezencën e gazetarëve tanë në terren.
Aleko Miho, ekspert i mjedisit tha për Vetting se: “Nëse shkëmbi përmban minerale, ka edhe metale të rëndë, që shkojnë në ujëra, përfundojnë në det, një pjesë e tyre janë edhe të dëmshme për shëndetin sepse përfundojnë në produktet bujqësore blegtorale dhe shumë nga metalet e rëndë janë kancerogjene.”
Një nga banorët që ka tokën aty afër, Sotir Pilua tregon se ka probleme me tokën bujqësore, pasi ujërat e gurores kullojnë te kanali ngjitur me tokën e tij.
“Edhe bimësia, ja e mbjell, do ta mbjell grurë, nuk bën përpjetë, do ta mbjellë hasëll për dhëntë, kam nja dy tre dhënë, i bie këtu nuk kullosin. Vetëm tym do hanë ato, ca do hanë ato, tymin e gurores ?!”- shprehet banori.
Për “Vetting”, Sotir Pilua tregon se edhe ai ka probleme me ndotjen nga guroret jo vetëm me tokën, por edhe me shtëpinë ku banon.
“Te shtëpia kam problem tymin. Na tymosin, na kanë bërë kështu blozë! Se kur kthen era që këtej, kur kthen për andej, këtej paradite na vjen këtej tymi, pasdite më vete në shtëpi. Kaq çfarë të them unë?”- shprehet Pilua.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, e vetmja kompani në zonën e Dimalit, që ka bërë rehabilitimin e zonës është “AGBES CONSTRUCTION”.
Nga informacionet e siguruara, kjo kompani me leje minerare të marrë që në vitin 2003 ka rehabilituar rrugën hyrëse për në shkallën e parë të lejes minerare. Sipas Ministrisë së Mjedisit, në 15 maj 2018 po në këtë zonë janë marrë masa me pezullim aktiviteti deri në korrigjimin e shkeljeve të evidentuara ndaj kompanive “Shpiragu B” sh.p.k, “AKS” shpk, “2 Po 6” shpk, “Klisal” shpk, “Mustafai” shpk, “Vëllezërit Llupo” shpk, “Agbes Construksion” shpk, “Zhopi” shpk, “Admir” shpk, “Guri i Bardhë” shpk, “Beta” shpk, ndërkohë që është gjobitur kompania “Salillari” shpk.