E plotë/ Nga Dimali në Krujë, guroret që po shkatërrojnë pronat! “Vetting”: Biznesi që po u “nxin” jetën banorëve, kush fshihet pas firmave?! Qytetarët ankohen: Kërcënohemi, policia luan ‘pingpong’

EMISIONI VETTING


Sot që flasim, industritë e shumë vendeve prodhojnë miliona tonë mbetje të rrezikshme si kimikate, metale të rënda dhe mbetje radioaktive, që nëse nuk përpunohen, përbëjnë rrezik për ambientin dhe shëndetin e njeriut. Sa më e rrezikshme të jetë mbetja toksike, aq më shumë kushton trajtimi i tyre për t’i kthyer në mbetje të parrezikshme ose asgjësimi.

Nëpër këto zgavra gjigante, ku janë shqyer pjesë masive të shpateve malore, rrëfehet qasja që ne si shoqëri kemi prej dekadash për natyrën, për jetën. Këto plagë të hapura nga guroret që zhvillojnë aktivitetin pa kriter nuk sjellin vetëm shkatërrimin e natyrës, por janë një kërcënim për të ardhmen, për brezat që vijnë. Njollat e stërmëdha të masakrës mbi male e kodrina krijojnë një peizazh të shkatërruar, ku dallohen nënshtresat e tokës, që e kanë humbur pjesën organike prej së cilës ushqehet bimësia. Çdo copë toke e gërryer e çdo pemë e zhdukur na rikujton se raporti ynë me natyrën ka humbur baraspeshën. Çdo ditë, copat e shkulura nga malet përpunohen në fabrika aty pranë dhe më pas kamionë të panumërt ngarkohen me to për të ushqyer ndërtesat shumëkatëshe që vazhdojnë të ngrihen.

Ambicia për pasurim të shpejtë pa gjykuar pasojat e ndërtuar mbi shkatërrimin e natyrës është një rrugë pa krye, një dënim i së ardhmes sonë. Malet, pyjet e burimet natyrore nuk janë thjesht pasuri kombëtare, por janë trashëgimia jonë dhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Shumë pranë me qytetet, këto kantiere vazhdojnë të përhapen me shpejtësi në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndonëse ky fakt është bërë problematik prej kohësh për banorët pranë tyre… “I thashë, na vdiqët me pahir. I pari i vrau se e ka marrë tjetër kush këtë, nuk e di se çfarë janë, nuk më intereson, po ai i pari i vrau policat në Urën Vajgurore, ky i dyti po i helmon njerëzit”, – shprehen për “Vetting” banoret e zonës. Banorët janë dëmtuar dhe vazhdojnë të dëmtohen nga problemet që kanë sjellë guroret, shumica e të cilave funksionojnë në shkelje të çdo procedure ligjore, duke filluar nga mënyra se si e përpunojnë lëndën e parë.

Tymi ndotës që ankohen banorët, kërkon përpunimin me ujë për të bllokuar ngritjen e grimcave të rrezikshme kancerogjene për shëndetin. Sipas Olsi Nikës, ekspert mjedisi: “Të gjitha grimcat e ngelura pezull në ajër janë ato që janë shqetësuesi kryesor, të cilët në fakt nuk është se dëmtojnë vetëm botën e gjallë, por dëmtojnë drejtpërdrejt edhe njerëzit, nëse këto njësi vendosen pranë qendrave të banuara”. Prania e këtyre burimeve natyrore pranë komuniteteve po krijon vatra të reja për konfliktet sociale. Këto konflikte qëndrojnë të heshtura duke u akumuluar dhe nëpërmjet protestave mobilizojnë popullsinë rurale dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Fakt është që ujërat tona ndër të tjera dallohen, ndër indikatorët, që kanë të cilësisë se sedimentet i kanë shumë të larta. Kjo vjen nga pyjet e prera, nga bujqësia jo shumë miqësore për të mbrojtur dhe tokën dhe guroret kanë pjesën e vet”, – shprehet Aleko Miho, ekspert mjedisi. Në këtë episod, “Vetting” do të trajtojë problemet që kanë sjellë guroret në zonën e Dimalit në Berat dhe në Krujë, të cilat janë dy zonat më të dëmtuara nga kjo veprimtari.

Dhunë fizike dhe verbale ndaj banorëve nga pronarët e guroreve, përplasje dhe protesta, shkatërrim të shtëpive dhe ambientit nga eksplozivi pa kriter, ndotje të ambientit, erozion, e mbi të gjitha asgjësim total të ekosistemit natyror, të gjitha nën indiferencën e institucioneve ligjzbatuese. Këto të fundit reagojnë vetëm kur problemi bëhet publik, duke hedhur hije dyshimi për korrupsionin që mund ti ketë fijet e fshehura midis pronarëve të guroreve dhe drejtuesve të korruptuar të institucioneve.

DIMALI, QYTETI QË HANË GURORET

Dimali, dikur i njohur si Ura-Vajgurore, është një nga zonat më të prekura nga shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore. Ky qytet mban rekord për numrin e guroreve në territorin e tij; plot 22. Kur e viziton këtë qytet, ajo që të bie në sy është jo vetëm shtrirja e guroreve përreth, por një shkatërrim total i kodrinave, ku nuk ka më thjesht shenja të shfrytëzimit, por shihet qartë dëmtimi i parikuperueshëm që i është bërë natyrës. Në këtë zonë, aktiviteti i guroreve është zhvilluar për vite me radhë, pa u ndalur, dhe gjatë filmimeve nga ekipi i “Vetting”, një re e madhe tymi mbulonte të gjithë territorin e Dimalit, duke mbuluar edhe fshatrat e Pashallisë, Guri i Bardhë dhe Konezbaltë. Kjo ndotje ka marrë përmasa alarmante, duke krijuar një situatë dramatike për banorët e zonës. Shtëpitë që ndodhen ngjitur me guroret janë të mbuluara nga pluhuri, si pasojë e drejtpërdrejtë e aktivitetit industrial.

Ky peizazh i shkatërruar është dëshmi e papërgjegjshmërisë së institucioneve ndër vite. Pluhuri, jo vetëm që ndikon në cilësinë e ajrit, por gjithashtu ndalon plotësisht aktivitetet bujqësore në tokat e zonës mbuluar me një shtresë të dendur që ju ndalon bimëve proceset organike natyrore. Shkenca Hyka, është banore e lagjes Pashalli në Dimal. Shtëpia e saj mbulohet e para nga tymi dhe ndjen më fort tronditjet nga eksplozivi dhe zhurma që vjen nga guroret. Shkenca Hyka, banore e Dimalit thekson për Vetting se: “Unë jam e tmerruar, e kam vënë shtëpinë në shitje se nuk duroj dot më, jam e sëmurë, jam me mushkëri të copëtuara, më është mbushur veshka, po ta shohësh, kam fletën e analizave, më është mbushur veshka plot me kiste! Pse? Nga ky tym!”. E prekur nga drama sociale që i kanë shkaktuar guroret, ajo rrëfen për “Vetting” se ka ardhur herët në këtë qytet për të krijuar kushte më të mira, por hapja e guroreve I ka sjellë pasoja të rënda shëndetësore dhe ekonomike për të dhe familjen e saj.

“Nga shpërthimet janë hapur muret, po hë ç’i kall dreqin, po hë themi hajde i suvatojmë vit për vit, por problem kemi tymin. Tymin kemi më shumë problem, se këtu nuk është një o bir, ne jemi të rrethuar me gurore. Ja tek e ke, ja urdhëro tymi! Ndizet ajo, ndizet ky, ne nuk jemi nga ata që guroret të mos punojnë”, – thekson Hyka.

Edhe pse shpreson të riparojë shkatërrimet e shtëpisë nga shpërthimet me eksploziv, Shkenca Hyka kërkon nga bizneset e guroreve që të respektojnë ligjin, pasi përpunimi i gurëve duhet të bëhet nëpërmjet ujit për të shmangur ndotjen.

“Po bëhemi problematikë, unë javën e parë, dy herë në polici, as që u ndjenë fare, puna vazhdoi normalisht, që nuk dilja dot. Urdhëro me mua, hajde gjer në ballkon, shiko ballkonin edhe do më japësh të drejtë”, – shprehet ajo.

Duke folur për problemet me ndotjen nga guroret, Shkenca Hyka kujtohet që kishte nxjerrë për t’u tharë rrobat e lara të nipit të vogël dhe me nxitim tenton t’i heqë pasi pluhuri ka pushtuar komplet zonën. “Këtu erdhëm për një jetë më të mirë, u shkatërruam me fëmijë, me shtëpi, me…” Në oborrin e kësaj shtëpie ka disa hardhi që kanë prodhuar rrush, por sipas banores nuk mund të konsumohen. Sipas ekspertit të mjedisit, Olsi Nika: “E gjitha ajo grimcë e ngelur pezull hyn në mushkëritë tona dhe patjetër ndikojnë te bimët, duke i veshur, duke pamundësuar ose duke minimizuar ritmin e frymëkëmbimit, të fotosintezës, të frymëmarrjes së bimëve. Ka një ndikim të jashtëzakonshëm…është shpeshherë difuz, nuk përqendrohet jo vetëm në pikën ku është gurorja, por shtrihet disa kilometra më tej”.

Në momentin që largohemi nga Shkenca Hyka për të intervistuar një banor aty pranë që është duke punuar tokën, guroret ndërpresin veprimtarinë, pasi janë sinjalizuar nga kamionët për prezencën e gazetarëve tanë në terren. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, e vetmja kompani në zonën e Dimalit, që ka bërë rehabilitimin e zonës është “AGBES CONSTRUCTION”.

Nga informacionet e siguruara, kjo kompani me leje minerare të marrë që në vitin 2003 ka rehabilituar rrugën hyrëse për në shkallën e parë të lejes minerare. Sipas Ministrisë së Mjedisit, në 15 maj 2018 po në këtë zonë janë marrë masa me pezullim aktiviteti deri në korrigjimin e shkeljeve të evidentuara ndaj kompanive “Shpiragu B” sh.p.k, “AKS” shpk, “2 Po 6” shpk, “Klisal” shpk, “Mustafai” shpk, “Vëllezërit Llupo” shpk, “Agbes Construksion” shpk, “Zhopi” shpk, “Admir” shpk, “Guri i Bardhë” shpk, “Beta” shpk, ndërkohë që është gjobitur kompania “Salillari” shpk.

KRUJA, ATY KU HIDHET SHTETI NË ERË

Kruja është qyteti i dytë në Shqipëri me numrin më të madh të guroreve, por në dallim nga Dimali, guroret janë më pak të ekspozuara prej rrugëve. Në një cep të një guroreje të braktisur, në vend të pemëve që duhet të ishin mbjellë nga kompania, duket një makinë e djegur, që vitet e fundit është simbol dhe mjet që digjet pas atentateve. Edhe kjo zonë ka pësuar një shfrytëzim barbar të maleve e kodrave prej guroreve, duke sjellë shqetësime serioze për banorët, madje duke shkaktuar konflikte sociale në mungesë të reagimit nga institucionet shtetërore.

“Ajo çfarë vërehet është përqendrimi i tyre në disa zona ose në pak zona dhe me përqendrim unë kam fjalën mbishfrytëzimin, tejshfrytëzimin e tyre në përmasa të jashtëzakonshme. P.r.sh rasti i sipërfaqes në zonën e Krujë, Fushë-Krujë, në ato zona p.r.sh kur zbret me avion, në Rinas e shikon se sa e madhe është sepse nuk është vetëm gurore, por është një kompleks i tërë industrial”, – thekson Olsi Nika.

Në dallim nga qytetet e tjera, banorët e kësaj zone janë përplasur me pronarët e guroreve, apo njerëzit që dërgonin këta të fundit, pasi rezultojnë si persona të lidhur me pushtetin. Banorët kanë protestuar edhe tek institucionet ligjzbatuese, por shpesh raportoheshin si denoncues tek pronarët e kompanive. “Unë jam pjesëtar i kësaj lagje këtu. Si ka mundësi që u bë hera e dytë që unë bëj denoncime në shtet, asnjë lloj mase nga ju që jeni për të zbatuar ligjin’- ankohet banori. “Përsa i përket denoncimit, Policia e Shtetit e ka marrë dhe ky denoncimi i juaj shkon në Prokurori, Prokuroria dhe Gjykata vendosin për këtë|, thekson policia.

“Më fal, ai të pezullohet. Në rast se jam unë fajtor shkoj unë në burg, në rast se është ai fajtor të shkojë në burg ai, jo unë.”- shprehet banori. Banorët e fshatit Borizanë në Krujë kanë protestuar për disa muaj me radhë, e cila filloi vitin e kaluar në mars, për të përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme. “Unë kam nusen e xhajës duke më vdekur. Çfarë më thotë ai mua: “Hap dyert”, kush të hapi dyert? Shurdhi, ai që është duke vdekur, unë kam gruan këtu tu më ruajt delet, ku ka tabelë këtu se këtu është rrezik vdekje? Ku ka tabelë? Ku? I kam marrë dhe jam lut, këtu zotëri je tu bo gabim se po plas mina, këtu ke fshatin shumë afër. Kush është ai? Më bën dhe presion në telefon, më bën edhe presion. Po qe burrë, hajde te gurorja.”- shprehet banori.

Në protestën e fundit banorët shprehnin ankesat për guroret, por edhe për njerëzit që i kërcënonin. Edhe pse ata pohojnë se janë kërcënuar dhe iu janë shkatërruar shtëpitë nga shpërthimet me eksplozivë, kjo do t’u sillte pasoja akoma më të rënda nga personat, që qëndronin pas interesave të gurores.

“Sot, ndërsa ne flasim në këtë seancë banorët e fshatit Borizanë në Krujë janë të ngritur në protestë, janë të ngritur në protestë për shkak të problemeve që kanë dhënë guroret, që janë dhënë në këtë njësi administrative. Kanë 4 muaj që familjarët kanë bërë denoncime të ndryshme pranë organeve të rendit dhe nuk është marrë asnjë masë. Problemi i guroreve është një problem shqetësues prej 4 vitesh për Krujën”, – është shprehur Merita Bakiu deputete e PD me 7 korrik 2023. Disa ditë më pas, në korrik 2023, disa nga banorët që protestuan, do të sulmoheshin dhe do të dhunoheshin në brendësi të një lokali në Thumanë nga vëllezërit e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Pamjet filmike ishin xhiruar vet nga grupi i Rrajave, për të treguar dominancën dhe forcën në këtë zonë. Fillimisht pamjet dolën në rrjetet sociale dhe u shpërndanë në media duke tronditur opinionin publik dhe duke sjellë largimin e deputetit Rrahman Rraja nga Parlamenti me dorëzimin e mandatit, si edhe shkarkimin nga detyra të ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi. Në atë kohë, Policia e Shtetit doli me një deklaratë për shtyp, ku shpjegoi se ishte bllokuar gurorja “Delia Group”, e cila ishte në pronësi të Viktor Deliut dhe së bashku me institucionet e tjera kryen kontrolle për të matur dëmtimet në disa shtëpi, duke ia referuar rastin Prokurorisë së Tiranës. Por edhe sot e kësaj dite, aktiviteti i guroreve në fshatin Borizanë të Krujës vazhdon dhe kjo verifikohet nga pamjet ekskluzive që sjell “Vetting” nga terreni. Banorët ankohen se guroret kanë ndikuar negativisht në jetën e tyre, duke sjellë pasoja ekonomike dhe sociale. Këto zona duket se nuk janë nën kontrollin e institucioneve shtetërore, ku nuk ekziston ligji dhe ku njerëzit duhet të mbrohen vetë. Edhe pas protestave dhe reagimit të institucioneve asgjë nuk ndryshoi dhe rezultoi se e gjitha ishte një fasadë për të kaluar skandalin e radhës.

Ka shumë arsye që në Krujë nuk mund të mbyllen guroret jashtë kritereve, ose të paktën t’u kërkohet të zbatohet ligjit. Po të analizojmë me vëmendje listën e personave që kanë këto kompani, janë përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë dhe koncesioneve shtetërore, madje që shpeshherë janë lakuar për lidhjet me pushtetin. Megjithatë, në këtë rast problem nuk është përfitimi i fondeve publike, por mënyra se si këto kompani favorizohen dhe mbështeten nga institucionet publike dhe zyrtarët e lartë, në dëm të banorëve. Në Krujë janë vetëm 3 kompani që kanë bërë rehabilitimin e zonës së guroreve; kompanitë “FUSHE-KRUJE CEMENT FACTORY”, “MILIS BRICK” sha dhe “ANTEA CEMENT” sh.a. Kompanive të tjera u është revokuar licenca nga Ministria e Mjedisit, pasi nuk kanë rehabilituar mjedisin. Në mars 2019, Ministria e Mjedisit nuk i revokoi lejen për guroren në Krastë të Krujës kompanisë “Salillari” shpk., pasi kishte një sërë shkeljesh. Konkretisht kompania nuk kishte bërë rehabilitimin e karrierës, nuk kishte rregulluar sistemimin e rrjedhjes së ujërave sipërfaqësore dhe mbetjet sterile nuk ishin vendosur në një vend të përcaktuar sipas lejes së mjedisit. Disa ditë më pas, më 15 mars 2019 kompania “Salillari” bëri ankesë për revokimin e lejes, por kërkesa u refuzua nga Ministria e Infrastrukturës, duke i lënë si mundësi të vetme ankimimin në Gjykatë.

“Është autoriteti që përcakton dhe thotë: Kjo është zona kaq, mund të shfrytëzosh në këtë periudhë dhe pastaj duhet të bësh rehabilitimin… duke nisur që nga fillimi. Fillimi i aktivitetit nënkupton edhe fillimi i zbatimit të masave zbutëse”, – thekson Olsi Nika. Por pezullimi i lejes mjedisore të kompanisë “Salillari” ka ngritur pikëpyetje për lejet e tjera për gurore që ka ky subjekt. Sipas nenit 37 të Ligjit nr.10 304 datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, zotëruesi i lejes minerare ka detyrimin të bëjë rehabilitimin e zonës që ka marrë për shfrytëzim dhe në rast të mosrealizimit të planit të rehabilitimit, ky subjekt nuk përfiton leje për një veprimtari tjetër minerare për një periudhë prej 50 vitesh dhe kjo gjë bëhet shkak që t’i hiqet çdo leje tjetër minerare, që ka në zotërim.

Pra, në këtë rast kompania “Salillari” rrezikon që t’i hiqen të gjitha lejet për gurore që ka edhe në zonën e Dimalit, ku në letrën e firmosur nga zv.ministri Ilir Bejtja kërkohet që të bëhet rehabilitimi i zonës. Në aksionin e ndërmarrë në 2019, Ministria e Mjedisit i ka revokuar licencën edhe kompanive të tjera, si “VEGA” dhe “FRENKI” shpk. Kompanisë “VEGA” i është hequr licenca pasi ka shfrytëzuar sipërfaqe jashtë lejes së shfrytëzimit, nuk ka respektuar lartësinë e shfrytëzimit dhe nuk ka bërë rehabilitimin e zonës. Ndërsa kompania “FRENKI” shpk, e cila është në pronësi të shtetasit nga Jemeni Adel Thabit Ahmed Thabit dhe Sami Hoxhaj. nuk ka pasur leje mjedisi, por ka marrë në menaxhim guroren pas lejes së transferimit për shfrytëzim, që ka marrë nga kompania “ARVO” shpk. Edhe kjo gurore, ashtu si guroret e tjera që nuk kishin rehabilituar mjedisin, ka marrë një gjobë me vlerë 5 mijë euro nga Ministria e Mjedisit.

“Nuk mund të pretendojmë që duhet të bëjmë një gurore diku, edhe nëse nuk është një zonë sensitive mjedisore dhe do ta shfrytëzojmë gjithë malin, nuk mund të shfrytëzojmë të gjithë malin”, – thekson Olsi Nika, ekspert mjedisi. Nga të dhënat e siguruara nga AKBN-ja, vetëm për periudhën 2014- 2023 janë mbledhur në total 7.6 milionë euro për garancinë e rehabilitimit për lejet minerare. Një pjesë e këtyre fondeve të mbledhura, 1.45 milionë euro, janë para nga kompanitë që u është revokuar leja.

“Vetting”: Si u shtuan lejet dhe lidhjet e pushtetit me guroret!

Janë me dhjetëra rastet kur banorë të zonave kanë dalë në protesta kundër aktiviteteve të guroreve, që iu ka dëmtuar pronën dhe po ju merr dhe jetën dalëngadalë. Ata janë të bindur se ankesat dhe kërkesat e tyre nuk dëgjohen nga institucionet shtetërore, por edhe kur ato merren në konsideratë, institucionet shfaqen të pafuqishme. Prej gati 3 dekadash, mbrapa kësaj përplasjeje qëndron oligarkia ekonomike, e cila në Shqipëri është maska që mbulon pronarët e vërtetë të pasurive publike të gllabëruara, ku shpeshherë pas saj gjenden drejtues bandash kriminale nën petkun e biznesmenit, biznesmenë që janë mësuar të përfitojnë nga fondet publike të servirura nga politikanët dhe në fund ata, politikanët e korruptuar që me “Presta Nome” shmangin ligjin, i cili i pengon të dalin drejtpërdrejt si aksionerët e vërtetë të këtyre pasurive. Në Shqipëri, guroret janë sinonim i abuzimit të pushtetit me burimet natyrore kombëtare, i mosrespektimit të ligjit dhe vjedhjes së shumicës përballë një pakice të korruptuar, që dhunon të drejtën e jetës, shkel ligjin dhe mbi të gjitha asgjëson të ardhmen.

DËSHTIMI I QEVERISË ME GURORET

Nëse i kthehemi arkivës, vështirë të gjesh qoftë edhe një ish-ministër të mjedisit që nuk ka premtuar mbylljen apo kontrollin mbi aktivitetin e guroreve. Të gjithë janë përbetuar për zgjidhjen e problemit. Një ndër ta ishte edhe Blendi Klosi, i cili u investua personalisht në zgjidhjen e problematikës duke shkuar edhe në terren. Sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, aktualisht në Shqipëri gjenden 268 gurore dhe më shumë se 95% e tyre nuk kanë kryer rehabilitimin e zonës. Ky është një problem që nuk është ngritur vetëm nga banorët dhe shoqatat mjedisore, por edhe nga vetë zyrtarët më të lartë në Ministri.

“Kemi një analizë që kemi bërë në të 287 lejet mjedisore dhe mineraret që janë dhënë për guroret e vendit dhe më vjen keq që ta them. Pothuajse në të gjithë numrin e këtyre guroreve, ka problematika. Nuk mund të pranohet që zonat janë masakruar dhe e kanë shumë të vështirë që të rehabilitohen”- thekson Klosi.

Kjo deklaratë është bërë në qershor 2018, asokohe nga vetë Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili e ka mbajtur këtë post nga viti 2017 deri në shtator 2021, duke u zëvendësuar në detyrë nga Ministrja aktuale Mirela Kumbaro. Në deklaratën për shtyp, ish Ministri Klosi ka paraqitur një gjendje të situatës së guroreve në të gjithë vendin, ku fatkeqësisht në disa prej tyre dëmi është i përhershëm.

“Mund të ketë nëpër letra, por s’ka një të vërtetë që ka trajtuar rehabilitimin ashtu siç duhet, që ato pemët e prera apo zonat e prerë të rijetëzuar, po ashtu trajtimi në biznes. Më shumë problematikë për mendimin tim është afërsia me qytetet apo afërsia me zonat historike apo me zonat e turizmit. Nuk mundet të jetohet më që njerëzit të jenë në këtë presionin e tymit, edhe presionin e gurores.”- theksonte Blendi Klosi.

Ministri, pezulloi disa leje gjatë kohës që ishte në detyrë, por guroret që ishin licencuar nuk u mbyllën, përkundrazi është rritur numri i tyre, njëherësh edhe numri i zonave që nuk janë rehabilituar. Janë fakte që “Vetting” i ka konfirmuar përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Guroret marrin lejen mjedisore nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ku përcaktohet tarifa për rentën minerare dhe garancia për rehabilitimin e ambientit. Në këtë leje gjenden koordinatat për vendndodhjen e gurores, sipërfaqja e karrierës dhe sasia e volumeve që do nxirren çdo vit. Karriera është vendi ku nxirren mineralet, drejtpërdrejt nga sipërfaqja, me anë të gërmimit ose të mënyrave të tjera, për të siguruar lëndë për ndërtim, tregti e për qëllime të tjera.

Kurse renta minerare është përqindja e vlerës së mineralit të shitur, që i paguhet shtetit nga personi apo kompania që zotëron lejen minerare, si kompensim për zvogëlimin e burimeve minerare. Guroret janë një biznes shumë fitimprurës pasi materialet që merren nga karrierat shkojnë drejtpërdrejt për projekte investimi shumë të mëdha si ndërtimi i objekteve publike, ndërtim pritash lumore, investime në rrugë, të cilat realizohen nëpërmjet procesit të tenderave publikë.

LIDHJA E GUROREVE ME PUSHTETIN

Në rastin kur një bashki apo një institucion publik ka planifikuar ndërtimin e një rruge, ose një projekt ndërtimi që ka nevojë për lëndë të parë, në shumë raste realizohet një tender, ku fitues shpallet kompania që gjendet pranë qytetit, e cila merr pa kriter volume ndërtimi nga gurorja, duke realizuar dhe projektin që shpeshherë ka rezultuar me vlerë të tejfryrë. Madje për të humbur gjurmët, kjo kompani përzgjidhet si nënkontraktor nga kompania fituese dhe në këtë mënyrë ndahen paratë publike. Këto kompani, si nënkontraktor, por edhe si fitues të tenderit gjenden në çdo sektor të prokurimeve publike dhe janë një mekanizëm se si fitimet shpërndahen në dëm të ambientit dhe taksapaguesve.

Këto janë disa nga mënyrat që paraja publike qarkullon brenda një rrethi të mbyllur e të mirorganizuar, ku edhe institucionet e drejtësisë e kanë të vështirë të depërtojnë. Milionat që qarkullojnë përmes këtij biznesi fitimprurës sfidojnë mijëra banorë të zonave përreth guroreve me shpresën e ndoshta edhe jetën që po iu shuhet dalëngadalë prej tymnajës së këtyre zgavrave që prodhojnë para për disa, e vdekje për të tjerë. Në progres raportin e fundit të Komisionit Europian, në kapitullin 27 trajtohen problemet me ambientin dhe sektorët ku ka ngecur Shqipëria. Në raport shkruhet se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar dhe i duhet të krijojë agjenci për të luftuar krimet kundër mjedisit për të qenë në një linjë me direktivat e Bashkimit Europian dhe për të mbrojtur burimet ujore.

Për të kuptuar regresin që ka bërë vendi ynë, mjafton të kuptohet se aprovimi i ligjit të ri në 2024 për Zonat e Mbrojtura nga Qeveria Shqiptare është parë nga Bashkimi Europian si një hap mbrapa në këtë drejtim, pasi nuk ka direktiva apo strategji për ndryshimet klimaterike. Në këto pamje dramatike mbi shpatet e maleve dhe kodra është projektuar egërsia e njeriut si një grabitqar që vazhdon të kafshojë prenë e vet. Shkatërrimi i mjedisit vazhdon, ndërsa këto zgavra na rrëfejnë historinë e shkatërrimit, ku grabitqari dhe viktima është vetë njeriu. Nevojiten masa konkrete për parandalimin e këtyre aktiviteteve me dëme të pariparueshme dhe ndërgje- *gjësim për mënyrën si të kemi zhvillim të qëndrueshëm, në harmoni me natyrën dhe në shërbim të të gjithëve, jo vetëm të pakicave. Vetëm nëse i rikthejmë natyrës atë që i kemi marrë pa mëshirë, mund të ndërtojmë një të ardhme në vendin tonë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme