Pronari i banesës në Qerekë, ku u gjet një laborator i përpunimit të kokainës mbrëmjen e djeshme si pasojë e operacionit antidrogë të drejtuar nga SPAK-u është vënë në pranga.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se dhe disa shtetas të huaj janë arrestuar, të cilët dyshohen se ishin ekspertë të ndarjes së kokainës në laboratorin e narkotikëve në Qerekë.
Sakaq, dyshohet se grupi kriminal ka vepruar për një kohë të gjatë.
Ndërkohë aksioni është ende duke vijuar, ndërsa kontrollet janë shtrirë edhe në disa vila në bregdet.
Në mesnatë, operacioni u fokusua edhe tek “Kodra e Diellit 2”, raporton gazetari Igli Çelmeta, ku u gjet një sasi droge. Disa shtëpi janë kontrolluar dhe po vijon bastisja edhe në banesa të tjera.
Grupi kriminal raportohet se ndërronte vazhdimisht banesat, kjo për të shmangur rënien në sy dhe humbur gjurmët.
Operacioni i djeshëm zhvillua në disa zona si Shkozet, Kavajë, Tiranë, Vorë, Kamëz dhe Qerekë.
Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar 2kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe përzierës.
Ndërsa numri i të arrestuarve deri tani raportohet të jetë 5 persona, njëri prej të cilëve nga Venezuela. Arrestime janë kryer në një lokal në fshatin Vishnje në Njësinë Administrative Baldushk, ndërsa paralelisht aksioni antidrogë ka vazhduar edhe në fshatin Ibë.