Avokati i mësuesit Bledar Duro ka dhënë një deklaratë për mediat pas seancës gjyqësore, e cila vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për arsimtarin që dërgoi mesazhe me përmbajtje seksuale tek nxënëset e mitura.
Sipas avokatit Kristian Koçibelli, të komunikuarit në rrjete sociale nuk përbën në vetvete vepër penale, referuar kështu mesazheve që Duro u ka dërguar të miturave.
“Ndërsa në gjykimin tim, e të njëjtin qëndrim që unë kam mbajtur gjatë kësaj seance, mendoj se vetmja shkelje që ka kryer ky shtetas, është një kundërvajtje administrative, për faktin se komunikimi që ka një mësues me studentet nuk duhet të jetë e tillë, që të cenojë dinjitetin apo integritetin e mësuesit gjithashtu e të nxënësve në krahun tjetër. Në këto kushte, unë mendoj se duke qenë një kundërvajtje administrative, mund të merrej një masë nga drejtoria arsimore ose drejtoria e shkollës, por kurrsesi, komunikimi që mund të ketë një person në rrjete sociale, në vetvete nuk përbën një vepër penale, aq më tepër për një vepër penale që dyshohet ky shtetas, ajo e ngacmimit seksual.”, tha ai.
Sakaq, përfaqësuesi ligjor shton se në momentin që Duro ka dërguar ato mesazhe, ka qenë nën efektin e alkoolit, duke u shprehur: “alkooli ka bërë punën e vet”.
Avokati Kristian Koçibelli: Sapo ka përfunduar seanca e përcaktimit të masës së sigurisë dhe gjykata e ka vlerësuar fillimisht si të ligjshëm arrestin në flagrancë dhe më pas ka caktuar masën arrest në burg. Pra, të gjitha pretendimet që unë kam paraqitur në cilësinë e provës në gjykatë nuk janë marrë parasysh nga gjykata, pavarësisht faktit se neni 230 i K.Pr.Penale është një dispozitë ndaluese, e cila e ndalon gjykatën për të përcaktuar masë sigurimi arrest në burg ndaj personave të cilët janë të alkoolizuar.
Kemi paraqitur më shumë se 6 prova që kanë të bëjnë me vërtetimin e Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ky shtetas ka qenë i shtruar më shumë se 3 herë. Gjithashtu kartelën spitalore persa i përket Spitalit Rajonal të Korçës kur ai ka qenë i shtruar në maj të këtij viti dhe më pas programin që është duke ndjekur me mjeken e tij, përpos faktit se ai dhe bashkëshorten e tij e ka infermiere dhe e ndihmon vazhdimisht në mënyrën se si ai të kurohet, e të vazhdojë kurimin për s ai përket këtij fakti.
Ndërsa në gjykimin tim, e të njëjtin qëndrim që unë kam mbajtur gjatë kësaj seance, mendoj se vetmja shkelje që ka kryer ky shtetas, është një kundërvajtje administrative, për faktin se komunikimi që ka një mësues me studentet nuk duhet të jetë e tillë, që të cenojë dinjitetin apo integritetin e mësuesit gjithashtu e të nxënësve në krahun tjetër. Në këto kushte, unë mendoj se duke qenë një kundërvajtje administrative, mund të merrej një masë nga drejtoria arsimore ose drejtoria e shkollës, por kurrsesi, komunikimi që mund të ketë një person në rrjete sociale, në vetvete nuk përbën një vepër penale, aq më tepër për një vepër penale që dyshohet ky shtetas, ajo e ngacmimit seksual.
Bledar Duro ka pranuar se ka qenë i alkoolizuar dhe momenti që dyshohet se ka pasur komunikim në ato momente ka qenë nën ndikimin e alkoolit, për faktin se ai vuan prej kohësh nga varësia nga alkooli, fakt ky i vërtetuar e nga vërtetimet spitalore.
Shtrimi i parë ka qenë në 2014, dhe i fundit në maj 2024.
Ai shpjegoi se gjatë qëndrimit në shkollë nuk konsumonte alkool, por pas mbarimit të orarit të mësimit. Është mësues prej 25 vitesh dhe gjithë këto vite ka pasur respekt ndaj tij, ka nxjerrë punime artistike. Qëndrimi dhe komunikimi ka qenë më respekt të dyanshëm, por aktualisht duke qenë se alkooli ka bërë punën e vet.
***
Ndaj Duros është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Ai u paraqit ditën e sotme përballë togave për t’u njohur me masën e sigurisë, i cili u prit nga të afërmit e tij. “O Bledi”, e thërret një e afërme, teksa mësuesi del nga furgoni për t’u futur brenda ambienteve të gjykatës. Ndërsa një grua në video, e cila dëgjohet duke qarë, i thotë: “Hajde halle”.
Ngacmimi i 14-vjeçareve ka ndodhur në harkun kohor të një muaji.
Kanë qenë të miturat, të cilat së bashku me prindërit i janë drejtuar komisariatit të policisë së Korçës për të denoncuar ngjarjen. Si provë, dy nxënëset kanë lënë telefonat e tyre me mesazhet që u ka dërguar mësuesi në aplikacionin WhatsApp.
Sipas informacioneve nga burime policore, 45-vjeçari Bledar Duro u ka dërguar SMS-të nxënëseve kur ato nuk ishin në shkollë.
Mesazhet e shpeshta kohëve të fundit detyruan të miturat që t’i drejtoheshin policisë së Korçës.
Bledar Duro u arrestua nga policia ndërsa pritet të zbardhen më tepër detaje lidhur me rastin.
“Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin B. D., 45 vjeç, banues në Korçë, me detyrë mësues në një shkollë 9-vjeçare, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp”, dy 14-vjeçare, nxënëse të shkollës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan celularët e këtyre shtetasve”, njoftoi policia.