Në Apelin e GJKKO-së do të mbahet ditën e sotme, seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën dhe deputeten e kësaj force politike, Monika Kryemadhin.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Meta akuzohet për veprat penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Për këto vepra penale, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.
Për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprave penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim,
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Ditën e djeshme përmes një postimi në “Facebook” u ka bërë thirrje mbështetësve të mos i bashkohen protestës që është parashikuar, pasi sipas tij janë persona të paautorizuar nga vetë ai.
“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë! “Siç jeni në dijeni, nesër (sot) në ora 10:00, në Gjykatën e Apelit (GJKKO) zhvillohet seanca gjyqësore me objekt revokimin e masës së paligjshme të arrestit me burg të aplikuar ndaj meje prej një muaji. Jam në dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga unë apo spontane për të protestuar përpara gjykatës. Ju bëj me dije se veprime të tilla janë të padobishme dhe të dëmshme. Betejën time ligjore e kam bazuar në parashtrimin e gjithë të vërtetave përpara gjykatës duke denoncuar inekzistencën e provave ndaj meje në këtë proces kryekëput politik. Në këto kushte, çdo grumbullim apo protestë para gjykatës në ditën e gjykimit i konsideroj si shpërqendrim të opinionit publik ndaj thelbit të çështjes, ndaj ju bëj thirrje të distancoheni nga çdo iniciativë për grumbullime dhe protesta”, shprehet Meta.