Policia e Durrësit ka arrestuar ish-drejtorin e Kadastrës së këtij qyteti, Ardian Kona, si dhe ka shpallur në kërkim 3 shtetas të tjerë, pasi në bashkëpunim kanë kryer regjistrimin e një prone me dokumente false.
Kona akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.
Në kërkim janë shpallur shtetasit B.Z., 42 vjeç, L.D., 34 vjeç, që akuzohen për “Shpërdorim të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, si dhe A.D., 44 vjeç, ndaj të cilit rëndojnë 2 akuza, ajo e “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Ndaj të gjithëve, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, lidhur me hetimet për regjistrimin e kësaj prone me dokumente false.
NJOFTIM
DVP Durrës/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Roli”.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin A. K., 52 vjeç, banues në Durrës (ish-drejtues në ASHK Durrës), për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Masa e sigurisë i është caktuar nga Gjykata e Durrësit, më datë 19.11.2024, në kuadër të një hetimi për regjistrimin e një prone, me dokumente false.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë shpallur në kërkim dhe po punojnë për kapjen e 3 shtetasve për të cilët Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, konkretisht:
B. Z., 42 vjeç, banues në Durrës dhe L. D., 34 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe A. D., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.