Gazetar: Mihaillo Donev
Është parandaluar hyrja e emigrantëve nga Sierra Leone, të fshehur në një kamion në pjesën e paletave, si dhe katër emigrantë të tjerë ilegalë nga Irani, të cilët kanë tentuar të hyjnë në vend gjatë javës së kaluar, njofton Drejtoria e Doganave. Emigrantët janë kapur teksa tentonin të hynin në pikën kufitare Bogodoricë.
“Katër emigrantë të paligjshëm nga Irani janë zbuluar gjatë kontrollit në pjesën e ngarkesës së një kamioni me targa turke që drejtohej nga një shtetas turk. Katër emigrantë ilegalë, shtetas të Sierra Leones, janë gjetur në automjet tjetër mallrash në pjesën e paletave të kamionit me targa të Maqedonisë, i drejtuar nga shtetas i Maqedonisë”, thonë nga Drejtoria Doganore.
Doganierët konfiskuan 569 produkte të ndryshme me vlerë të llogaritur mbi 594 mijë denarë. Gjësendet janë sekuestruar në dy raste të ndara, ndërsa ishin të destinuara për dy kompani nga Struga.
“Në rastin e parë janë zbuluar 365 produkte të ndryshme të përdorura, duke përfshirë tableta, pajisje për video lojëra, memorie ram, orë dore, si dhe 15 ekrane të ri celularësh. Në rastin e dytë janë zbuluar 189 produkte të ndryshme të përdorura, mes të cilëve hard disqe, makinë për hedhjen e topave të tenisit, goma, bandazhe, katalizatorë, frigoriferë”, vazhdojnë tutje nga Drejtoria Doganore.
Javën e kaluar në Tabanoc është parandaluar kontrabanda e 442 veshjeve, ndërsa në vendkalimin kufitar Bogorodicë është parandaluar kontrabandimi i produkteve të ndryshme si çanta për femra, kuleta, bizhuteri në vlerë prej 193 mijë denarësh. Produktet e padeklaruara në administratën doganore janë gjetur në çanta në bagazhin mbi sediljet e pasagjerëve. Drejtoria doganore po ashtu ka njoftuar se në katër raste në vendkalimin kufitar Bogorodicë është parandaluar tentim për kontrabandim të 67 pakove cigaresh dhe pesë pako për cigare elektronike./ Alsat.mk