Gazetare: Linda Ebibi
Ambulancat e fshatrave që kanë mungesë të infermierëve dhe ku punojnë vetëm nga një mjek do të mund të funksionojnë në dy vitet e ardhshme dhe nuk rrezikojnë të mbyllen. Ky vendim është marrë pas kërkesës së Shoqatës së Mjekëve privatë, se 48 ordinanca rurale përballen me deficit të infermierëve dhe rrezikojnë që të mbyllen. Për këtë do të marrin edhe ndihmë prej 22.500 denarëve në muaj.
“Masat në lidhje me mjekët ruralë janë afatizuar në 24 muaj. D.m.th ju lejohet që të punojnë pa infermierë në 24 muajt e ardhshëm, që të shohim në mënyrë sistemiatike se si do të funksionojnë më tej. Janë rritur pikët për mjekët ruralë për 22.500 denarë, pra, janë rritur të ardhurat fikse për shkak të shpenzimeve dhe udhëtimit për në ordinanca. Kjo tashmë është zgjidhur, vendimet janë bërë publike dhe hynë në fuqi”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit.
“Kemi gjetur gjuhë të përbashkët për klinikat rurale, që me të vërtet duhet t’i ruajmë, në mënyrë që njerëzit të trajtohen dhe qytetarët të kenë akses të barabartë. Në vendet e vogla ku ka mungesë infermierësh, mjekët do të vazhdojnë të punojnë. Me këtë i shpëtuam këto ordinanca, pasi ligjet e vjetra nuk funksionojnë më”, tha Lili Çollakova Derishova, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Privat.
Gjatë takimit të sotshëm mes Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe Shoqatës së Mjekëve privatë është diskutuar edhe për gjobat, pikët e kapitacionit, ose pikët për kokë banori për të cilat janë formuar grupet punuese që duhet të gjejnë zgjidhje deri në mes të dhjetorit. Për Shoqatën e mjekëve privatë, është e pranueshme që pikat për kokë banori në vend të 75 denarëve që ishte deri më tani, të rritet në 100 denarë. Por, kjo do të varet nga buxheti i Fondit Shëndetësor. /Alsat.mk