Gazetare: Melihate Rustemi
6 autobusë ekologjikë, donacion nga BE-ja mbërritën në garazhet e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik. Projekti, sipas ambasadorit të BE-së në Shkup, Mikalis Rokas kap vlerën prej 10 milionë euro. Rokas tha se projekti do të përfshijë disa qytete edhe atë Manastirin, Kumanovën dhe Tetovën, rajone këto të cilat po përballen me ndotje të lartë të ajrit.
“Ky është një problem vërtetë serioz që fillojmë ta ndjejmë menjëherë me fillimin e sezonës së ngrohjes. Ky problem tashmë me vite e merr tatimin mbi shëndetin e qytetarëve. Ky projekt që e realizojmë i përfshin qytetet Manastir, Kumanovë, Shkup dhe Tetovë që janë ndër qytetet më të prekura nga ndotja e ajrit. Me sigurimin e këtyre 6 autobusëve qëllimi i BE-së është t’u jep prioritet nevojave të qytetarëve”, deklaroi Mikalis Rokas, Ambasador i BE-së.
“Me pasurimin e flotës së Ndërmarrjes së Transportit Publik në Shkup po përmirësojmë kushtet për shfrytëzimin e transportit publik nga qytetarët. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për BE dhe UNOPS-in për mbështetjen e tyre në luftën tonë të përbashkët për ajër të pastër që është një problem jo vetëm në vendin tonë por edhe në rajon, BE dhe më gjerë. Ai nuk njeh kufi dhe duhet të veprojmë së bashku. Poashtu, si Qeveri po shqyrtojmë mundësinë për blerjen e 100-120 autobusëve elektrikë”, u shpreh Izet Mexhiti, ministër i Ekologjisë.
Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska tha se ngjarja e sotme është dëshmi se administrata e qytetit, kur nuk është e bllokuar nga askush është në gjendje të zbatojë gjithçka që është e dobishme si për Shkupin, ashtu edhe për Maqedoninë.
“Gjashtë autobusët eko qytetarët tanë do të mund t’i shohin nëpër qytetin e Shkupit dhe të udhëtojnë me ta, me shpresën se do t’i inkurajojmë të gjithë ato palë të tjera të interesuara që duhet të votojnë në Këshillin e Qytetit të Shkupit, që tashmë të kishim 250 autobusë të tillë. Do t’i inkurajonte ata që të ndërmarrin hapin sa më shpejt të jetë e mundur, ndoshta në seancën e radhës të Këshillit të Qytetit të Shkupit”, deklaroi Danella Arsovska, kryetare e Shkupit.
Secili nga autobusët ekologjikë ka kapacitet për 98 persona, përfshi edhe personat me nevoja të posaçme. Projekti me autobusët ekologjikë realizohet në kohën ku përveç ndotjes së lartë të ajrit, qyteti i Shkupit po përballet edhe me kaos në transportin publik për shkak të mungesës së autobusëve. /Alsat.mk