Deputetja demokrate Albana Vokshi, e ka cilësuar “ditë e mirë për të gjithë shqiptarët”, ditën kur GJKKO vendosi të revokonte masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Vokshi tha në studion e emisionit “Kjo Javë” se vendimin nuk e kishte pritur pasi ishte mësuar me një varg vendimesh të njëjta.
“Ishte një ditë e mirë për të gjithë simpatizantët e PD, por jo vetëm për ne, por edhe për gjithë shqiptarët sepse triumfoi e vërteta. Lirimin e tij e sollën disa faktorë. E para është rezistenca e shumë simpatizantëve dhe qytetarëve. Ata qëndruan në mbështetje të Berishës dhe misionit të tij për të vërtetën dhe ligjshmërinë.
Unë personalisht nuk e prisja sepse ishim mësuar me një varg vendimesh të njëjta. Ndaj them që është një vendim i vonuar. Janë mbi 300 ditë sakrifice për Berishën dhe opozitën. Në Shqipëri mungojnë të drejtat dhe liritë”, tha deputetja demokrate.
Vokshi u ndal edhe te burgosja e Ervin Salinjit, i cili është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Apelit, për kallëzim të rremë lidhur me dosjen Babale.
Ajo tha se edhe ndërkombëtarët kanë mbetur të befasuar me rastin, pasi nuk e dinë që opozita persekutohet.
“Rasti i Salianjit është shumë domethënës. Sot është dënuar një nënkryetar i PD vetëm sepse denoncoi vëllanë e ministrit të Brendshëm të përfshirë në trafik droge. Të gjithë kanë mbetur të befasuar sepse ndërkombëtarët mendojnë se Shqipëria është një vend me zhvillim e turizëm dhe nuk e dinë se opozita po persekutohet”, u shpreh ajo.