Qeveria shqiptare emeton për të parë në 2025 obligacione 20 vjeçare

Qeveria shqiptare do të emetojë për herë të parë në vitin 2025 obligacione me maturim 20 vjeçar.


Ministria e Financave ka planifikuar të zhvillojë ankandin e parë për testimin e tregut në janar të vitit 2025, ndërsa në muajin mars është parashikuar edhe një rihapje e ankandit të muajit janar. Shuma e planifikuar për emetim në të dy ankandet është gjithsej 2.5 miliardë lekë.

Obligacionet 20 vjeçare do të jenë instrumenti më afatgjatë i emetuar nga qeveria shqiptare. Deri më sot, titujt më afatgjatë janë obligacionet 15-vjeçare, që u emetuan për herë të parë në nëntor të vitit 2021. Afërsisht tre vjet më vonë, Ministria e Financave ka vendosur të hedhë hapin e radhës në zgjatjen e maturitetit maksimal të instrumenteve të borxhit të brendshëm.

Zgjatja e maturitetit maksimal të borxhit është në parim një sinjal i forcimit të besueshmërisë së huamarrësit. Në vitet e fundit, treguesit e borxhit publik janë përmirësuar, falë ecurisë së mirë të ekonomisë pas pandemisë, forcimit të lekut në kursin e këmbimit valutor dhe një politike fiskale më konservatore, me deficite buxhetore më të ulëta.

Pasi arriti një nivel rekord prej më shumë se 74% të PBB-së në vitin 2021, borxhi publik ka ardhur në rënie të shpejtë gjatë viteve në vazhdim dhe në fund të vitit 2023 zbriti në 57.5% të PBB-së. Sipas vlerësimeve paraprake të Ministrisë së Financave në fund të 9-mujorit 2024 borxhi publik ishte sa 55.45% e PBB-së.
Ulja e borxhit bëri që agjencitë kryesore të vlerësimit të kreditit, S&P Global Ratings dhe Moody’s, gjatë këtij viti ta përmirësonin notën e borxhit Sovran të vendit.

Në dekadën e fundit, Ministria e Financave ka ndjekur një strategji të zgjatjes graduale të maturitetit të borxhit publik, me qëllim kryesor uljen e rrezikut të rifinancimit, por edhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit.

Në fundin e muajit shtator 2024, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 928 ditë, nga rreth 630 ditë që kishte qenë një dekadë më parë.

Paralelisht, një strategji e tillë është ndjekur edhe me Eurobondet që emetohen në tregjet ndërkombëtare. Eurobondi i emetuar në vitin 2021 arriti maturitetin më afatgjatë deri më sot për këto instrumente, me një horizont kohor 10-vjeçar.

Përmirësimi i treguesve të borxhit publik dhe i vlerësimit të borxhit Sovran, por edhe kthimet e kënaqshme në raport me rrezikun e investimit, kanë bërë që për herë këtë vit në tregun e brendshëm të obligacioneve të investojnë edhe investitorë institucionalë nga jashtë vendit. Deri tani, këta investitorë janë orientuar kryesisht në instrumentet me maturim afatmesëm, si obligacionet 3-vjeçare dhe 5-vjeçare.

Nga këndvështrimi i investitorëve, emetimi i obligacioneve 20-vjeçare krijon mundësi për të rritur më tej kthimet nga investimi në letrat e borxhit të qeverisë. Këto instrumente mund t’u shërbejnë sidomos investitorëve institucionalë, si për shembull fondeve private të pensionit.

Nga ana tjetër, shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim më afatgjatë krijon më shumë premisa për të zhvilluar tregun dytësor të titujve, për t’i bërë këta tituj më likuidë./ Monitor

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme