Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Ferizaj, pasi dyshohet se ka shkaktuar aksident trafiku me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i veturave.
Sipas njoftimit, 23-vjeçari me inicialet G.B., kishte rritur qëllimshëm shpejtësinë në rrugën “Rexhep Bislimi”, duke e goditur një veturë tjetër. Autoritetet kanë shikuar kamerat e sigurisë dhe kanë parë se ai ishte aksidentuar qëllimshëm.
Ai dyshohet po ashtu se është i përfshirë edhe në 19 aksidente, e përpos tij, edhe dy pasagjerë kishin inskenuar se janë lënduar.
Aksidentet dyshohet se i kishte bërë me veturat e marra me qira.
“I dyshuari në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit rajonalë dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftimin policor.