Si u implikua Grubi në formimin e Shoqërive Aksionare për lojërat e fatit të cilat e hodhën në humnerë?

Gazetar: Suad Bajrami

Formimi i katër shoqërive tregtare për organizimin e lojërave të fatit, Mozzart, Vezuv, 77 Bits dhe Novomatik në kuadër të Lotarisë Shtetërore nga ana e Qeverisë, e çoi në Humnerë zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami. Për nevojat e tyre, Lotaria Shtetërore ka furnizuar aparate VLT në vlerë prej 8.2 milionë euro edhe pse ata nuk kanë pasur të drejtë t’i përdorin dhe për këtë, aparatet asnjëherë nuk janë përdorur.

Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike kishte alarmuar për formimin e shoqërive të reja.

“Artani tanimë me sukses po zbaton projektin kazino në çdo shtëpi, duke i dhënë katër licenca për online kazino ku ortak është Përparim Bajrami, tanimë figurë e njohur që ekzekuton urdhrat e klanit”, tha Izet Mexhiti, deputet i Lëvizjes Demokratike.

Prej vitit 2013-të video lotaria shtetërore, sipas Ligjit për Lojëra të Fatit nuk ka të drejtë në mënyrë të pavarur të organizojë lojëra të fatit, pasi që atë të drejtë e ka të përbashkët me Videolotaria Kazinos Austria ku shteti është pjesëmarrës me 51% të aksioneve, ndërkaq Videolotaria Kazinos Austria 49.

Grubi, në disa dalje publike, kishte theksuar nevojën e prishjes së monopolit të Videolotaria Kazinos Austria, duke e cilësuar si monopol kriminal.

“Këtu bëhet fjalë për shoqërim kriminal, për mbrojtjen e monopolit kriminal dhe për shumë para të pista nga ajo industri, të cilat shkojnë në disa xhepa. Këto janë dyshime serioze. Unë jam i bindur, jo që janë dyshime”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër.

Grubi, në një dalje tjetër, pranon se shoqëritë janë formuar pa pasur ligj, e madje nuk është miratuar edhe interpretimi autentik në Kuvend i dorëzuar nga deputetja e BDI-së, me qëllim që të hapë rrugën e formimit të shoqërive të reja.

“Një është tema për monopolin, në rregull është, për atë mund të debatohet, por nuk mund të hyni në mënyrë të paligjshme në formimin e katër shoqërive. Po, ju e thoni atë e paligjshme. Ne në Qeveri… Sërish do ju pyes, nëse nuk ka nevojë Rina Ajdari nuk do të kërkonte interpretim autentik. Për shkak bllokadës nga ana e Komisionit për Financim dhe Buxhet. Mirë, por nuk është miratuar ligji, e as miratuar interpretimi autentik dhe ju hyni në formimin… Ligji është miratuar, por nuk është nënshkruar dekreti i presidentit. Pra, është e njëjtë sikur të mos jetë miratuar. Po, por tani do të votohet sërish”, deklaroi Artan Grubi, zëvendëskryeministër.

Se sa Grubi është i vetëdijshëm për rregullat dhe procedurat ligjore për çështjen e tenderimeve, flet më së miri kjo përgjigje e Grubit, ku ai u mbajti ligjëratë gazetarëve të cilët kërkonin detaje për marrëveshjen me Behtel dhe Enka për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d.

“Por zonja… ka procedurë, duhet t’i dini procedurat. Shpallet tender, ashtu? Zgjedhet oferta më e mirë, pastaj shkon në kontroll administrativ në Byronë për Furnizime Publike, pastaj nëse ka ankesa shkon në Komisionin Shtetëror për Furnizime Publike dhe ajo është përfundimtare. Nëse ka ankesë tjetër, dorëzojnë edhe në Gjykatën Admnistrative, që nuk ka në këtë rast. Këta janë procedurat në shtet”, u shpreh Artan Grubi, zëvendëskryeministër.

Fillimisht, Artan Grubi tentoi që përmes plotësimit të Ligjit për Lojërat e Fatit, ta rregullon çështjen e ndarjes së bixhozit online, por që hasi në kundërshtim nga tre palë.

E para, e kundërshtuan Asociacioni i Bastoreve. E dyta, kundër ishin edhe partnerët e koalicionit qeverisës LSDM, të cilët nuk ia miratuan ligjin, ndërkaq në mbështetje të Grubit, kishte dalë atëherë vetëm Aleanca Shqiptare e krahut të Selës. Dhe së treti, edhe pse e miratuan në mënyrën si e miratuan, presidenti Stevo Pendarovski, nuk e dekretoi ligjin dhe madje çështja e ligjit dhe dëmi që do t’i shkaktonte ndryshimi ligjor industrisë së kazinove, ishte pjesë e diskutimit mes Pendarovskit dhe presidentit austriak gjatë një vizite të tij në Shkup. Në fund, ligji u kthye në lexim të tretë, por që nuk mori votat e nevojshme për miratim.

Me vendim të Qeverisë për formimin e Shoqërive aksionare, struktura e Grubit u vendos nëpër bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse të shoqërive të reja aksionare, për të pasur mbikëqyrje dhe kontrollin e plotë ndaj organizimit dhe zbatimit të lojërave të fatit online. Aty u vendosën si emra të njohur si miku i Grubit Omer Bunjaku, anëtar i kryesisë qendrore të BDI-së Artin Spahiu, shefja e Kabinetit të Grubit Havushe Leskovica, por dhe Hadije Hoxha, bashkëshortja e pasardhësit të Artan Grubit te Lëvizja ZGJOHU. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme