“Vota juaj, shumë domethënëse”/ Takimi me Këshillin Koordinues të Diasporës Shqiptare, presidenti Begaj: Shteti do ju mbroj kudo ku jetoni!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, sot, në Ditën Kombëtare të Diasporës, priti në Presidencë Këshillin Koordinues të Diasporës Shqiptare.


Duke shprehur mirënjohje dhe vlerësim të veçantë për kontributin e tyre në dobi të kombit shqiptar, Begaj theksoi se shteti shqiptar duhet të mbrojë të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë përkohësisht ose gjithmonë.

“Shteti shqiptar, në zbatim të detyrimeve kushtetuese, duhet të mbrojë të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë përkohësisht ose gjithmonë. Ai do të vijojë të punojë për të përcjellë kudo në botë të gjitha vlerat e lidhura me trashëgiminë tonë historike dhe kulturore”, tha ai.

Presidenti Begaj theksoi në përshëndetjen e tij se “Ju, shqiptarët e Diasporës, jeni energjia më pozitive e Shqipërisë, jeni shembulli më frymëzues se si shqiptarët, pavarësisht vështirësive, kanë arritur të integrohen, të bëhen pjesë aktive e shteteve ku ata jetojnë por, nga ana tjetër, nuk e kanë harruar atdheun e tyre të parë, dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Gjithashtu, Presidenti vlerësoi të gjitha iniciativat, organizimet e Diasporës shqiptare në mbrojtjen, ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe, duke falënderuar në mënyrë të veçantë mësuesit vullnetarë për kontributin e jashtëzakonshëm të mësimit të gjuhës shqipe.

Së bashku me Këshillin Koordinues të Diasporës, Presidenti ndau ide dhe propozime mbi gjetjen e rrugëve të reja për lehtësimin e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e lindur në Diasporë nëpërmjet krijimit të platformave kombëtare televizive.

Kreu i Shtetit u ndal dhe tek vota e diasporës, për të cilën tha se është tejet domethënëse për Shqipërinë.

 “Vota e Diasporës është shumë e rëndësishme dhe përcaktimi i datës së zgjedhjeve më 11 maj kishte të bënte me faktin e realizmit të kësaj vote. Mendoj se vota e Diasporës është shumë domethënëse për Shqipërinë”, – shprehu edhe një herë bindjen e tij Presidenti Begaj.

Presidenti bëri të ditur në këtë takim që ai do të vijojë me iniciativat e tij të promovimit të vlerave të modelit të shqiptarit të mirë, kudo ku ai ndodhet, jeton dhe punon, ruajtjen e gjuhës shqipe si ADN-ja e identitetit tonë kombëtar, leximit të librit shqip dhe trashëgimisë sonë të pasur historike e kulturore.

Në mbyllje të këtij takimi, Presidenti Begaj shprehu se e konsideron Diasporën shqiptare si një dhe të vetme dhe se “vetëm po të jemi të gjithë bashkë, do të jemi më të fortë”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme