Gazetar: Zekirja Haxhiu
Antari i ri i Këshillit të Prokurorëve Publik, Ardian Demiri dha betim solemn para kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi. U betua se do të angazhohet në drejtim të garantimit të pavarësisë së prokurorisë, me qëllim për të rritur besimin e qytetarëve në këtë institucion. Demiri nuk deshi të komentojë akuzat e partive politike opozitare, se i njëjti është kuadër i VLEN-it dhe me këtë tentohet partizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë.
“Nuk komentoj akuza dhe deklarata politike. Siç theksova edhe më herët, unë vijë nga radhët e avokatëve. 20 vitet e fundit ushtroj profesionin avokat me një zyrë time private. Dua të theksoj se për 20 vite nëpërmjet shërbimeve të mia kanë kaluar të rëndësishme kështu që nuk do të kisha komentuar këto akuza”, tha Ardian Demiri, Anëtar i Këshillit të Prokurorëve.
Betim dhanë edhe dy anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor, Ariton Alla dhe Danka Ristova. Kjo e fundit vjen nga Gjykata e Apelit të Shtipit ndërsa gjatë propozimit të saj si anëtare e Këshillit Gjyqësor, reagime pati se është kuadër partiak pasi është bashkëshortja e kryetarit të komunës së Radovishit, Aco Ristov, i cili vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Edhe Ristova mohon se do të punojë për interesa politike.
“Nëse për opinionin nuk mjafton përvoja ime 34 vjeçare në gjyqësor, nga vullnetare në gjykatës në Gjykatën e Apelit, nuk kam tjetër çfarë të them. Absolutisht jo, ndikimi asnjëherë nuk përjashtohet. Me rëndësi është si ndikohet dhe sa ajo arrin deri te gjykatësi”, u shpreh Danka Ristova – Anëtare e Këshillit Gjyqësor.
Kontributi i anëtarit tjetër të këshillit, Ariton Alla, do të jetë në drejtim të kthimit të sigurisë juridike të qytetarëve.
“Gjithashtu do të punojmë që në gjyqësor të ketë më tepër kuadër në kuptimin e gjykatësve, bashkëpunëtorëve profesionistë dhe kuadër tjetër i cili do të ndihmonte”, deklaroi Ariton Alla – anëtar i Këshillit Gjyqësor.
Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor bëhet në periudhën kur Qeveria paralajmëron reforma në këtë trup të pavarur gjyqësor i cili mes tjerash zgjedh dhe shkarkon gjykatës. Së fundmi dorëheqje dha kryetarja e këshillit gjyqësor, Vesna Dameva e cila akuzoi për ndërhyrje politike. /Alsat.mk