Gazetare: Melihate Rustemi
Qytetarët e Shkupit, të cilët për orë të tëra nuk kishin ujë për pije për shkak të riparimit të defektit në Karposh gjetën mënyra të ndryshme për tu përballur me situatën. Shumë prej tyre thanë se ishin furnizuar më ujë mjaftueshëm, madje për disa ditë me qëllim që sa më lehtë ta kalojnë këtë mungesë.
“Kemi mbushur ujë, kemi mjaftueshëm për një ditë. Nuk është e vështirë për një ditë, do ta kalojmë”, tha një qytetar.
“Nuk kemi ujë. Si u organizuat? Me shishe, kemi blerë”, shtoi një qytetar tjetër.
“Ne jemi nga gjeneratat e vjetra dhe nuk ka problem, dikur nuk kishte, nuk kishte asgjë. Kemi mbushur fuqitë dhe aq. Asgjë nuk kemi ble, kemi mbushur. Nuk është vështirë, si kemi mund të kalojmë dikur, nuk kishte askund ujë e as çezma, mbushnim ujë”, tha një qytetar.
“Nuk jam në shtëpi përndryshe është vështirë. Edhe kemi mbushur edhe kemi blerë. Do të shëtisim dhe nuk do të na duhet”, u shpreh një qytetare.
“Do të gjendemi, nuk është vështirë. Diçka që është e patjetërsueshme nuk është problem”, tha një qytetar.
Ndërkohë që qytetarët numëronin orët për rikthimin e ujit në çezmat e tyre, nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim” thanë se riparimi i defektit përfundon para afatit të paraparë prej 15 orësh.
“Modernizimi përfshinte riparimin e gjashtë segmenteve kryesore, duke përfshirë: Ndërrimi i pesë valvulave të ajrit dhe gypave në Bulevardin Partizanski Odredi, rikonstruimi i gypave në Urën e Kombeve të Bashkuara, Porta Vllae dhe Rruga Nikolla Parapunov. Ndërrimi i qepenit kryesor F700 në kryqëzimin me Bulevardin Partizanski Odredi. Me këto operacione është përmirësuar dukshëm furnizimi me ujë dhe presioni në komunat Gjorçe Petrov dhe Karposh, si dhe efikasiteti i të gjithë sistemit”, u shpreh Toni Minovski, drejtor I N.P Ujsjellës dhe Kanalizim.
Përveç qytetarëve të më shumë komunave me mungesë të ujit u përballen edhe spitalet ku për shkak të situatës së krijuar u kryen vetëm ndërhyrjet urgjente kirurgjike./Alsat.mk