Gazetar: Suad Bajrami
Shoqata Aksionare MEPSO e ka shfuqizuar marrëveshjen me kompaninë “Energoinvest Sarajevë”, e cila ka qenë kryerëse e kontraktuar për ndërtimin e largpërçuesit 400 kilovolt nga TS Manastir 2 deri në kufirin me Shqipërinë. Sipas MEPSO-s kjo ka ndodhur pasi që nuk janë kryer obligimet nga kompania kontraktuese, ndërkaq ka pasur kërkesa për pagesa shtesë, nën arsyetimin për rritje të ndjeshme të shpenzimeve për materiale dhe shërbime.
“Duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe, kryerësi disa herë e ka lëshuar kantierë-ndërtimin, duke kërkuar pagesa shtesë që është refuzuar nga SH.A. MEPSO për shkak të llojit të marrëveshjes, çelës në dorë. Edhe përskaj përpjekjeve të shumta të MEPOS-s për harmonizim dhe negocim, marrëveshja nuk u arrit. Për këtë, MEPSO e ka miratuar vendimin e domosdoshëm për shfuqizimin e marrëveshjes”, thonë nga MEPSO.
Prej fillimit të projektit deri më tani janë vendosur 24 prej gjithsej 269 themele për shtyllat, gjegjësisht vetëm 8,9%, ndërkaq janë dorëzuar 51% e pajisjeve.
Projekti për realizimin e linjës së transmetimit 400 kilovolt që fillon nga trafo-stacioni Manastir 2 dhe lidh sistemet e transmetimit të energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është bërë në kuadër të projektit të Korridorit 8 në vlerë prej 17.2 milionë euro. Projekti, parashikon që ta përforcojë stabilitetin energjetik, ndërkaq Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e hallkës së transmetimit të energjisë elektrike nga Bullgaria, përmes Maqedonisë së Veriut, pastaj Shqipërisë e deri në Itali.
NGA MEPSO, theksojnë se kanë filluar përgatitjet për rifillimin e projektit, ndërkaq do të iniciohet procedurë e re tenderiale sipas udhëzimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për zgjedhjen e kryerësit të ri, i cili do të vazhdojë me ndërtimin./ Alsat.mk