Gazetare: Melihate Rustemi
Kryeministri Hristijan Mickoski ua ka kërkuar falje banorëve të Komunës së Haraçinës dhe Likovës për shqetësimet e krijuara një ditë më parë nga ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, shkruan Alsat.
Një ditë më parë Limani tha se çerdhja në fshatin Mateç të Komunës së Likovës, e posaçërisht ajo në Haraçinë nuk do të nisin me punë derisa kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi nuk i kërkon falje sepse e ka quajtur ministër jolegjitim. Mickoski tha se pavarësisht deklaratave të papërgjegjshme të disa kryetarëve të komunave, nuk mund të pengohet funksionimi i çerdheve.
“Në mëngjes kam biseduar me Fatmir Limanin dhe gjatë ditës anëtarë të kabinetit të tij, shefi I kabinetit të tij do të vendos komunikim me administratën e Komunës në Haraçinë dhe Likovë dhe në këtë mënyrë kjo që ishte temë në media dje dhe ditëve të fundit do të tejkalohet pasiqë pëlqimet janë marrë. Unë, banorëve të dy komunave ju kërkoj falje për këto shqetësime, fëmijët janë prioriteti ynë i parë dhe politika e kësaj qeverie është pikërisht në këtë drejtim. Ka kryetarë komunash me deklarata të papërgjegjshme por kjo nuk duhet të jetë pengesë dhe unë ju garantoj se kjo situatë që sot do të tejkalohet”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ziadi Sela nga Fronti Evropian tha se ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani po keqpërdor pozitën për inate personale dhe politike.
“Është keqpërdorim detyre, realisht. Nuk e di a është i vetëdijshëm, a dëgjojnë prokurorët dhe gjykatësit këto lloj deklaratash. Nuk mundet një ministër që ka pozicion të veproj në bazë inatesh personale ose kundërshtish politike që ka me këto ose ato eksponent politik por atë që e ka obligim ligjor do të duhet ta procesoj dhe si i tillë është objekt për keqpërdorim të detyrës”, u shpreh Ziadin Sela, Fronti Evropian.
Kryetarët e komunave të Haraçinës dhe Likovës, Erkan Arifi dhe Ridvan Ibraimi dityë më parë dënuan deklaratën e ministrit Fatmir Limani lidhur me hapjen e çerdheve në komunat e tyre dhe i bënë thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë veprime dhe të hetojë këtë keqpërdorim të hapur të pozitës zyrtare. Çerdhet në Haraçinë dhe në fshatin Mateç të Komunës së Likovës para 10 muajsh janë lëshuar në përdorim si objekt dhe plotësojnë të gjitha kushtet për realizimin e procesit edukativo mësimor. Për shkak të mungesës së pëlqimeve për stafin punues ato nuk mund të fillojnë funksionimin e tyre./ Alsat.mk