Gazetar: Bashkim Sulejmani
Komuna e Tetovës nuk ka dorëzuar ende dokumentet për dëmshpërblimin e bujqve dhe objekteve që u dëmtuan nga vërshimet e një viti më parë. Vonesa ka ndodhur për shkak të pengesave në përcaktimin e mesatares së çmimit të produkteve bujqësore. Nga komisioni për vlerësimin e dëmeve të komunës së Tetovës thonë se tashmë problemet janë kapërcyer dhe së shpejti pritet të kompletohet regjistrimi i dokumenteve.
“Komisioni në fjalë e ka tejkaluar këtë pengesë dhe ka filluar me regjistrimin përfundimtar të dokumenteve, pas çka, Komisioni i Qeverisë, do të fillojë me vlerësimin përfundimtar të tyre dhe pagesën e dëmeve për bujqit”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Nga Komisioni shkallës së dytë i Qeverisë për Kompensimin e Dëmeve, thonë se ka pasur disa lëshime, por kanë dhënë rekomandimet e duhura për përmirësimin e tyre dhe së shpejti pritet të arrijë lënda pas çka do fillojë edhe kompensimi i dëmeve.
“Komisioni i cili vepron në kuadër të Qeverisë në shkallën e dytë, u themelua në gusht të vitit të shkuar dhe menjëherë ka filluar me punë për shqyrtimin e gjitha lëndëve që vinin nga vetëqeverisjet lokale, e kemi shqyrtuar edhe kërkesën e Komunës së Tetovës për kompensim të dëmeve por e njëjta ka pasur disa lëshime dhe në momentin e parë që komisioni i themeluar dhe që vepron në kuadër të Komunës së Tetovës do të plotësojë lëndën. Ne menjëherë do marrim përsipër që të informojmë Qeverinë që të bëhet kompensimi edhe për komunën e Tetovës”, tha Fatmir Sabriu, anëtar i Komisionit Qeveritar për kompensimin e dëmeve.
Në Tetovë nga vërshimet e vitit të shkuar mbetën të dëmtuara qindra hektarë tokë e mbjellë me kultura bujqësore, por edhe dhjetëra shtëpi e dyqane, të cilat paraqitën dëmet e tyre. Problemi ma i madh ishte me personat që kishin tokat me qera pa kontratë noterike, të cilëve, Qeveria iu premtoi se me një deklaratë të noterizuar si nga pala që shfrytëzon tokën po ashtu edhe pronari të bëhet edhe ky kompensim, e që në numër ishin mbi 150 raste. Qeveria pas dëmeve të shkaktuara vitin e kaluar në të mbjella, tha që do del edhe me një masë të re, e që ka të bëj me sigurimin e tokave të mbjella në kompani të sigurimeve, gjë kjo që pritet të miratohet si vendim. Nga ana tjetër, tokat e dëmtuar me kultura bujqësore, sipas Qeverisë, do të kompensohen në vlerë prej 30 për qind nga vlera që për momentin shitet në treg kultura bujqësore./Alsat.mk