Shpend Ahmeti ishte arsye e mbushjes së sallës së sportit në shkollën “Zenel Hajdini” në lagjen Kodra e Trimave, raporton emisioni “038” në KTV.
I pari i kryeqytetit zgjodhi ta vizitojë këtë lagje kur kanë mbetur pak më shumë se 7 muaj deri në zgjedhjet e reja. Por aty nuk foli vetëm si kryetar komune, por edhe nga pozita e tij partiake.
Në tubimin e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, ai për një orë e gjysmë dëgjoi e shkroi ankesat e kërkesat e qytetarëve.
Por, para fjalës së Ahmetit, fjalim për formimin e ushtrisë, kundërshtimin për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me “Malin e Zi”, të pranishmëve u mbajti Zgjim Hyseni nga Vetëvendosje.
“Zgjimi e përmendi Hashim Thaçin më herët, tash i ka ra në mend tash për këtë punë. Po krejt po e dimë pse po e bën, për përfitime politike kur i ka punët më së ngushti…”, ka thënë Ahmeti.
Më pas Ahmeti u kthye në rolin e të parit të kryeqytetit, kur njoftoi banorët e kësaj lagje se që nga 17 marsi, e gjithë Prishtina do të ketë ujë 24 orë në ditë. Ndërsa, u kumtoi edhe dy lajme të mira, hapjen e çerdhes publike dhe autobusët e rinj për këtë lagje.
Megjithatë, kjo nuk i kënaqi të gjithë, pasi një qytetar i tha Ahmetit se ata i kanë autobusët “por se rrugët i kanë të këqija”.
Brengë kryesore e këtyre banorëve ishte rruga “27 Nëntori”, për të cilën Ahmeti u premtoi zgjidhje. Ahmeti zgjidhje premtoi edhe për problemin me pronat në këtë lagje, e po ashtu edhe ndërtimet pa leje.
As problemi i rrymës nuk mbeti pa u prekur, për çka Shpend Ahmeti u dha mbështetje banorëve.
Banorët i kërkuan Ahmetit edhe ndërtimin e një qendre kulturore për të rinjtë.
© KOHA