Gazetare: Fatlume Dervishi
Në SHBA qëndrojnë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Jashtëm Timço Mucunski, zv.kryeministri Izet Mexhiti dhe zv ministria për Çështje Evropiane Viktorija Trajkov të cilët do të marrin pjesë edhe në inaugurimin e presidentit Donald Tramp, shkruan Alsat.
Në mënyrë të ndarë nga delegacioni qeveritar, në inaugurim kanë njoftuar se do të marrin pjesë edhe kreu i Kuvendit Afrim Gashi, kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe kreu i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.
Ndërkohë ka akoma dilema se kë ka ftuar administrata e re e Donald Tramp dhe kush ka blerë vetë biletë për pjesëmarrje. Asnjëri prej tyre nuk e ka publikuar ftesën për të konfirmuar se është direkte nga administrata.
Megjithatë nga VLEN thonë se pa ftesë nuk do të kishin mundur të marrin pjesë.
“Nuk mund të shkosh atje pa ftesë nga administrata e presidencës. Normalisht, ata kanë shkuar atje me ftesë. Në rrjetet sociale kishte edhe disa argumente nga kryetari i Aleancës Arben Taravari. Normalisht kanë shkuar me ftesë dhe i janë përgjigj pozitivisht ftesës”, tha Halil Snopçe, deputet i VLEN-it.
Mickoski para inaugurimit ka takuar biznesmenë, gazetarë e përfaqësues të shërbimit të zbulimit. Nga ana tjetër, kreu i ASH-së ka publikuar një fotografi para një dyqani mallrash promovues për presidentin e ri, si xhempera dhe kapele.
“Liderët më të mëdhenj botërorë janë mbledhur këtu duke e bërë Botën një familje më të madhe”, shkruan Taravari.
Biletat për ceremoninë e inaugurimit për personat që do të qëndrojnë jashtë Kapitollit janë falas dhe shpërndahen përmes kongresmenëve dhe senatorëve. Secili prej tyre ka një numër të caktuar biletash që mund të shpërndajë kurse aplikimet për bileta bëhen online në linqe të posaçme që aktivizohen për këtë gjë. Biletat duhet të merren personalisht.
Për personat nga jashtë SHBA, biletat mund t’i sigurojnë persona ose organizata që veprojnë brenda vendit. Ndodh që këto organizata ose persona të shesin biletat që kanë siguruar nga kongresmenët, për personat e interesuar. Shitja e biletave është e ndaluar, mirëpo nuk sankionohet. Në Craigslist janë vërejtur përpjekje për shitjen e biletave me çmime që fillojnë nga 500 dollarë. / Alsat.mk