Gazetare: Melihate Rustemi
Kjo është gjendja momentale e shkollës fillore “Ismail Qemali” të fshatit Cërnilishtë të Komunës së Dollnenit. Siç shihet edhe nga fotot dhe videot të siguruara nga Alsat gjendja paraqitet e mjerueshme në këtë objekt shkollor ku mësimin e ndjekin mbi 300 nxënës nga klasa e parë deri atë të nëntë.
Disa nga prindërit që kontaktuam shprehen të revoltuar për kushtet në shkollë duke shtuar se fëmijët e tyre ndjehen të rrezikuar derisa zhvillojnë procesin mësimor. Gjithashtu, prindërit ankohen për mungesë të ngrohjes në klasat ku zhvillohet mësimi. Nga pamjet e siguruara shihet se si nxënësit ngrohen nga një ngrohëse elektrike ndërsa radiatorët janë të ftohtë.
Për gjendjen në këtë shkollë kontaktuam drejtorin Muamet Sulemani i cili tha se kushtet në shkollë nuk janë ashtu si paraqiten në foto dhe video. Sipas drejtorit, ngrohja nuk mungon mirëpo nuk arrin temperaturën e duhur për shkak të punimeve ndërtimore që po zhvillohen në këtë objekt. Madje, Sulemani se për këtë gjendje është i informuar edhe Këshilli i Prindërve.
“Ne kur e shohim se temperaturat janë më të ftohta dhe objekti nuk e mundëson ose ky rrjeti i ngrohjes nuk i plotëson kushtet ne atëherë i shkurtojmë orët ose do ta ndërpresim me leje nga komuna ditën që ta kompensojmë”, deklaroi Muamet Sulemani, drejtor I sh.f “Ismail Qemali” Cërnilisht.
Gjithashtu, drejtori Sulemani tha se kaosi në shkollën fillore “Ismail Qemali” është krijuar për shkak të stërgjatjes së punimeve ndërtimore që kanë të bëjnë me objektin shtesë që ka nisur të ndërtohet në shtator të vitit 2023 dhe nuk ka përfunduar ende. Objekti shtesë parasheh ndërtimin e 7 klasave dhe 2 zyrave për stafin mësimor. Afati i përmbylljes së këtij projekti ishte në dhjetor të vitit 2024 ndërsa tash është shtyrë sërish për në shtator të këtij viti.
“E kemi informuar komunën se zvarritet ndërtimi, disa herë kam bërë takime me kryetarin e komunës së Dollnenit ku edhe ai shpesh herë ka intervenuar me kohë te Ministria edhe te këto firmat që janë zgjedhur për të realizuar projektin. Por, ato deri tash janë ndërruar tre firma, nuk e di se çka është puna. Njëherë njëri fillon pastaj tjetri, pastaj tjetri dhe kështu ka arrit deri te kjo që ne të pësojmë si shkollë duke i mbajt ato ndër vete inatet, nuk e di se çka”, tha Muamet Sulemani, drejtor I sh.f “Ismail Qemali” Cërnilisht.
Nga Ministria e Arsimit thanë se do të shqyrtojnë detajisht pengesat eventuale që tashmë kanë shkaktuar vonesën e ndërtimit të objektit shtesë të shkollës në fjalë. /Alsat.mk