Gazetar: Mihajllo Donev
Shkarkimi i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi është një nga masat që shqyrtohet me qëllim të përmbushjes së premtimit të dhamë për përmirësimin e punës së Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve, njoftoi kryeministri Hristian Mickoski, shkruan Alsat.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, ai tha se Kuvendi ka mundësi që ta aktivizojë këtë opsion dhe t’i shkarkojë anëtarët.
“Qytetarët presin veprime nga ne. Është e palogjikshme që ai që i zgjedh të mos mund t’i tërheqë, sidomos në rrethanat kur nuk e pranon raportin e punës së tyre. Pra, ne i shikojmë të gjitha këto mundësi ligjore, sigurisht që nuk do të bëjmë asgjë që është në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën”, tha Hristian Mickoski.
Bëhet fjalë për pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur në Kuvend të cilët tani mund të shkarkohen, pasi raporti për punën e Këshillit për vitin 2023 nuk është miratuar nga legjislativi. Paraprakisht, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, kishte paralajmëruar se kjo çështje do të ngritët në Komisionin për zgjedhje dhe emërime dhe se do të shqyrtohet mundësia e shkarkimit.
Ndërkaq, në Këshillin Gjyqësor kanë ndodhur ndryshime – dy anëtarët e vjetër të cilëve u kishte skaduar mandati janë zëvendësuar me të ri, ndërsa në krye të Këshillit erdhi gjykatësi Aleksandar Kambovski, i cili sot mbajti seancën e dytë si kryetar. Ai është i mendimit se anëtarët e Këshillit Gjyqësor duhet të shkarkohen nga Këshilli e jo nga Kuvendi.
Një zgjidhje e re ligjore po përgatitet edhe për Këshillin Gjyqësor, që duhet të jetë gati brenda qershorit. Sipas pushtetit, ky ligj do të kontribuojë në pavarësinë dhe funksionalitetin e Këshillit Gjyqësor. / Alsat.mk