Qeveria kërkon ndihmë nga kompanitë vendore në luftën kundër ajrit të ndotur

Gazetar: Avni Tahiri

Qeveria ende nuk ka një plan konkret se si do të luftojë ndotjen e ajrit, ndërkohë pret nga kompanitë vendore që të dhurojnë donacione në vlerë prej një milion eurosh, pajisje për pastrimin e ajrit, shkruan Alsat.

Këto pajisje sot i janë dhuruar Qeverisë nga një kompani e vendit e cila vepron në fushën e sistemeve të pastrimit të ajrit.

Këto pajisje të filtrimit të ajrit, sipas Qeverisë, do të shpërndahen në kopshte, shkolla, spitale dhe objekte të tjera publike, ku cilësia e ajrit është e një rëndësie të veçantë.

“Ndotja e ajrit mbetet një nga sfidat më serioze mjedisore dhe shëndetësore në Maqedoni. Në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë për të marrë masa të rëndësishme për uljen e ndotjes së ajrit përmes projekteve kapitale, si Qeveri po punojmë në mënyrë aktive për strategji dhe zgjidhje afatgjata për uljen e ndotjes, përmes investimeve në zgjidhje të qëndrueshme energjetike, rritjes së kontrollit të emetimeve dhe mbështetjes për teknologjitë e gjelbra”, tha Marija Miteva – Zëdhënëse e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Për këtë donacion prej 255 sistemeve të filtrimit të ajrit në vlerë prej një milion euro ka shkruar edhe kryeministri Hristijan Mickoski.

“Ky donacion domethënës i pastruesve të avancuar nga prodhuesi i njohur gjerman Mann+Hummel do të sigurojë ajër të standardeve më të larta mjekësore për kategoritë më të cenueshme: Në kopshte, shkolla, spitale dhe institucione të tjera publike ku cilësia e ajrit është e një rëndësie vendimtare. Kjo nismë jo vetëm do të përmirësojë cilësinë e ajrit në institucionet publike, por do të ndihmojë edhe në krijimin e një shoqërie më të shëndetshme”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër i RMV-së.

Por se cilat shkolla apo çerdhe do të përfshihen nga ky donacion dhe kur do të shpërndahen këto pajisje të filtrimit të ajrit, nga Qeveria për Alsat thanë se duhet të bëhet fillimisht një proces vlerësimi shtesë se ku do të nevojiten më së shumti.

Protesta e fundit kundër ndotjes së ajrit në Shkup ishte muaj më parë. Me mbishkrime “Ajri ynë është helm, Qeveria jonë është e shurdhër”, organizatorët paraqitën katër kërkesa për luftimin e ndotjes së ajrit në Shkup, përfshirë monitorimin e vazhdueshëm publik të objekteve industriale, për të siguruar transparencë mbi ata që ndotin ajrin./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme