Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska paralajmëroi ndryshime në konkursin tashmë të shpallur për bursa për universitetet më të mira botërore për vitin akademik 2025-26. Derisa nënvizoi risitë, Janevska kujtoi studentët e interesuar për studime deridiplomike, pasdiplomike ose doktorate se qëllimi i ndryshimeve është që të sigurohet efektiviteti i kësaj mase, e cila shtetit i kushton deri në 40 mijë dollarë për të mbuluar regjistrimin, shpenzimet e jetesës, akomodimit dhe transportit të studentëve. Janevska tha se në momentin që bursistët kthehen në vendlindje duhet të regjistrohen në regjistër të posaçëm me qëllim të gjetjes më të lehtë të një angazhimi të përshtatshëm pune. Nëse studentit nuk i ofrohet angazhim brenda gjashtë muajve nuk i përfundon obligimi për të punuar në shtet. Afati I fundit për të aplikuar në këtë konkurs është 12 shtator 2025.
„Nëse kandidati vendos të mos kthehet në vend, gjegjësisht nuk i plotëson obligimet e marrëveshjes së nënshkruar, do të duhet të kthejë mjetet, aq sa ka paguar Ministria për studimet në afat prej dy viteve pas përfundimit të studimeve. Në të kaluarën është kërkuar kthimi i një shume dhjetëfish më të madhe, që në fakt ka qenë dispozitë kontraktuale e pazbatueshme”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit. /Alsat.mk