Gazetar: Avni Tahiri
Nuk është marsi, por prilli, afati i ri për vënien në funksion të sistemit One Stop Shop në Bllacë. Në një vizitë të kontrollit të përgatitjeve, ministrat e brendshëm të të dy vendeve, nën mbështetjen e zvkryeministrit Mexhiti theksuan se edhe muaji mars do të kalojë me përgatitje e testime të sistemeve kompjuterike, ndërkohë që një polic do të veprojë në anën e vetë të kufirit. Kjo mundësi pritet përfundimisht t’i japë fund pritjeve të gjata në të dyja krahët e kufirit, një fenomen ky i njohur për mijëra qytetarë të cilët i lidh jo vetëm familja, por edhe puna dhe aktivitetet biznesore.
“Fluks ka zakonisht dhe besoj se “One Stop Shop” është e nevojshme pasi shkurton kohen e udhëtimit”, tha një qytetar.
“Shumë mirë do të jetë nëse ka “One Stop Shop” ajo është diçka që na duhet”, shtoi një qytetar.
”Gjatë verës do të ketë rrëmuje përsëri? Shumë, kështu si ia kanë filluar duket se do të ketë edhe më shumë”, deklaroi një qytetar.
Sistemi one stop shop ishte ide e qeverisjes së kaluar, por siç theksuan autoritetet, ato nuk kishin kapacitet ta realizonin.
“Më së voni në muajin prill do të vendosim në funksion dhe do të bëjmë gjithçka që të bëjmë atë edhe në mesin e muajit mars, por ja pas bisedimeve me IT-të sot, thonë se do të bëjnë gjithçka që është e mundur që sa më shpejtë të jetë në funksion. Unë do isha i lumtur që nesër të fillonte”, u shpreh Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Brendshme.
“Unë besoj se komunikimi i vazhdueshëm përafron edhe më shumë dhe ngre edhe më shumë raportet e mira që i kemi mes dy vendeve tona, shpresoj se edhe faza testuese të kaloj me sukses dhe të implementohet në një afat sa më të shpejtë të mundshëm”, tha Xhelal Sveçla – Ministër i Brendshëm i Kosovës.
“Uroj që sa më shpejt të filloje faza e testimit dhe qytetarët do ta ndjejnë lehtësimin që do të kenë vetëm një kontrolle në hyrje të shteti nga dyja anët”, u shpreh Izet Mexhiti – Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut.
Hapja e “One Stop Shop” pritet të lehtësojë jo vetëm përditshmërinë, por mbi të gjitha, orët e gjata të pritjeve veçanërisht gjatë sezonit të pushimeve.