Gazetare: Linda Ebibi
Vitet e fundi është rritur interesi i rikonstruktimit të gjoksit nga pacientët e prekur me kancer. Sipas mjekëve një në katër grua preket nga kanceri i gjirit, sidomos moshat e reja, dhe rikonstruktimi i gjoksit ndikon në mënyrë pozitive në vetëbesimin dhe psikologjinë e tyre. Pacientja më e re që ka kryer rikonstruktim të gjoksit është 28 vjeçe.
“Para 10 viteve numri ka qenë 30 ndërsa tani shkojmë për 120-150 rikonstruktime në vit, të cilat mbulohen nga fondi. Kështu që mendoj se ky numër është i madh. Çdo grua që dëshiron mund ta bëjë, dhe mendoj se ndikon shumë në gjendjen psikike… Të gjithë pacientet janë të lumtura që e kanë këtë mundësi, pasi pjesa e parë është të mbijetojnë dhe pjesa tjetër është pjesa psikike kur ato e plotësojnë pjesën që i mungon në trup”, deklaroi Jasmina Gjorgjievska Pavllovska, drejtoreshë e Klinikës së Kirurgjisë Plastike.
Onkologët sqarojnë se pas rikonstruktimit të gjoksit, skriningu dhe kontrollet zhvillohen pa pengesa. Ndërsa pacientja më e re në moshë që është me kancer të gjirit ende nuk i ka mbushur 23 vjeç.
“Në përgjithësi, më besoni se 99 për qind e pacienteve do donin që të kenë rikonstruktim, janë ekstrem të rralla rastet që nuk duan. Madje edhe më të moshuarit, unë kam paciente mbi 75 vjeç që është e interesuar për momentin të ketë rikonstruktim”, u shpreh Valentina Bojovska Trajanovska, specialiste e onkologjisë.
Ana Marjanoviq paciente që ka kryer rikonstruktim të gjoksit thotë se ende nuk e ka arritur rezultatin e dëshiruar, ndërsa thotë se është paragjykuar shumë për veprimin e saj.
“Unë rikonstruktimin e gjoksit e kam bërë në vitin 2021, një vit pas operacionit pasi përfundova me trajtimet. Rruga ime me plastikë nuk ka qenë shumë miqësore edhe pse jam paciente që në moshën 38 vjeçare e ka humbur një pjesë të gjoksit, dhe atë moment e kam menduar si fillim të ri pasi do ktheja një pjesë që e kam humbur. Kam bërë tre operacione, ende nuk kam arritur efektin që duhet të arrihet, megjithatë mendoj se është shumë mirë që jepet mundësia për një gjë të tillë”,deklaroi Ana Marjanoviq, paciente.
Drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski tha se këtë vit kanë paraparë buxhet të përbashkët për Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe Klinikën e Kirurgjisë Plastike, për rikonstruksionin parësor dhe dytësor të gjirit. Ndërsa potencoi se për këtë vit dhe fillimin e vitit të ardhshëm do të ketë furnizim të mjaftueshëm të terapisë biologjike. /Alsat.mk