Gazetar: Miki Trajkovski
Ramiz Merko në mënyrë të paligjshme ka emëruar drejtorë në disa shkolla fillore në Strugë dhe rajonin e Strugës, këtë e ka konstatuar Inspektorati Shtetëror i Arsimit. Violetka Xhuteska ka dëshmuar sot për rastin në shkollën “Vëllezërit Milladinov”, duke dhënë deklaratë për inspektimet e bëra në këtë shkollë.
“Në kohën kur Albana Zhuta është emëruar ushtruese e detyrës drejtoreshë, ajo nuk i ka plotësuar kushtet e përcaktuara në Ligjin e Arsimit Fillor. Ajo më parë nuk ka qenë e punësuar në shkollën “Vëllezërit Milladinov”, por në gjimnazin “Ibraim Temo”. Nuk kishte certifikatë të njohjes së gjuhës angleze, madje nuk kishte dhënë as provimin shtetëror për drejtor”, deklaroi Violetka Xhuteska – Inspektore Shtetërore e Arsimit.
Lëshimet e përmendura nga inspektorja janë konfirmuar nga vetë drejtoresha.
“Jam konsultuar me kryetarin e komunës dhe me ministrin e Arsimit. Kur u zgjodha ushtruese detyre, nuk kisha dhënë provimin shtetëror, kisha certifikatë për njohjen e gjuhës angleze, por nuk ishte e njohur ndërkombëtarisht”, tha Albana Zhuta-Drejtoreshë e shkollës fillore Vëllezërit Milladonov.
Kreu i Strugës, Ramiz Merko tha se nuk ndihet fajtor.
“Nuk ndihem fajtor për atë që jam i akuzuar”, tha Ramiz Merko-Kryetar i Komunës së Strugës.
Seanca për emërimin e drejtorëve në shkollat fillore në Podgorcë, Labunisht dhe Radolishtë është shtyrë për shkak të mungesës së dëshmitarëve. Njëri e arsyetoi mungesën me fillimin e punimeve ndërtimore ndërsa i dyti për shkak të një feste familjare.
“Ajo që është shkruar krijon dyshime se dikush po i shmanget paraqitjes në gjykatë. Për këto arsye, nëse ata nuk duan ta bëjnë në mënyrë të rregullt, do të duhet të përdorim mekanizma detyrues”, u shpreh Jordan Jovanov – gjykatës.
Jovanov njoftoi se në seancën e ardhshme do të kërkojë asistencë e policisë për dëshmitarët. /Alsat.mk