Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, është paraqitur këtë mëngjes në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
SPAK caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Ajola Xoxën më 10 Shkurt, por pas seancës në GJKKO më 12 shkurt, masa u zëvendësua me atë të “detyrim paraqitje”.
VENDIMI I GJKKO-së
Në vendimin e shpallur mbrëmë GJKKO bëri me dije se: Prokuroria e Posaçme me datë 11.02.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:
“1. Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosur për personat nën hetim Erion Vliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkëlqim Fusha me vendimin Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit me karakter shtrëngues të vendosur ndaj këtyre shtetasve”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112, 248 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, vendosi:
1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Erion Veliaj me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” caktuar ndaj personit nën hetim Ajola Xoxa me masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.