Deri tani folëm për lidhjet, punësimet dhe bizneset familjare të kushërinjve Ceno Klosi dhe Spartak Kovaçi, dhe disa përfitime të dyshimta të familjarëve të Ceno Klosit, të cilat i takon SPAK të hetojë të gjithë paqartësitë, apo mënyrën se si nga hiçi u krijuan biznese me vlerë miliona euro. Por në vijim do të ndalemi te kompania Adriatik shpk, kompani e cila ka përfituar 32 milionë euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Kompania Adriatik SHPK u themelua në nëntor të vitit 1993 me ortakë themelues shtetasin Ardjan Mustafaraj. Në vitin 1998 Mustafaraj i dhuron 50% të aksioneve shtetasit Petrit Kovaçit. Në vitin 2007 shoqëria kryen një rritje kapitali në vlerën 79 milionë lekë si pasojë e fitimeve të realizuara që nga themelimi.
Deri në vitin 2013, kjo kompani ka një aktivitet normal, por gjithçka ndryshon këtë vit, kohë kur Spartak Kovaçi emërohet Drejtor i UKD. Në dhjetor të vitit 2013 Ardjan Mustafaraj dhe Petrit Kovaçi vendosin për herë të parë që nga themelimi të shpërndajnë dividend në vlerën 290 milionë lekë. Nga ky divident Petrit Kovaçi vendos t’i dhurojë të birit Drejtor Ujësjellës Kanalizime Durrës në dhjetor të vitit 2014, 100 mijë euro të cilat ky i fundit i deklaron në ILDKPI.
Spartak Kovaçi menjëherë pas emërimit të tij kujdeset që të sistemojë në detyrën e Drejtorit të Trajtimit të Ujërave kunatin e ortakut të babait Olsi Graceni, dhe kjo duket se nuk ndodh aq rastësisht, por do e detajomë në vijim të investigimit tonë.
Në QKB nuk jepen të dhëna të plota për kompaninë Adriatik shpk por sipas të dhënave analitike të OPENDATA Albania kompania që nga themelimi ka patur një fitim 10-20-40 milion lekë në vit. Por viti 2013 do të sillte një fitim marramëndës për këtë kompani në vlerën e 155 milion lekëve ose thënë më thjeshtë 4 herë më të lartë se vitet e tjera. Plug investigoi dhe më tej dhe gjeti dokumentacion që të ardhurat e kompanisë Adriatik për vitin 2013 të çojnë të një tjetër investim publik po në qytetin e Durrësit.
Ky investim është marrë në dorëzim nga UKD, ku Spartak Kovaçi është drejtor. Sipas këtij dokumenti Adriatik shpk ka qënë nënkontraktor dhe sidomos punonjësi tashmë drejtor Olsi Graceni ka kryer punime në këtë objekt.
Në vitin 2019 kompania Giovanni Putignano and Figli SRL, e regjistruar në QKB, firmos një tjetër kontratë për ndërtimin e Ujësjellës Kanalizme Lushnje dhe sipas të dhënave nënkontraktor kompaninë HIDRO MENTORI shpk.
Në bilancet e kompanisë Giovanni Putignano and Figli SRL të vitit 2020 rezulton se nënkontraktori kryesor për këtë investim është Adriatik shpk. Pra dhe në këtë rast fondet e dhëna për Ujësjellës Kanalizime Lushnje përfundojnë te familjarët e Ceno Klosit dhe Spartak Kovaçit. Sipas të dhënave në Opendata Albania rezulton se Adriatik sh.p.k ka fituar disa prodecura tenderuese, prej të cilave edhe në shkelje flagrante të ligjit, ku kompania e babait fiton tender drejtëpërsëdrejti nga institucioni i drejtuar nga i biri. Bëhet fjalë për tenderin e shtatorit të vitit 2022, ku autoritet kontraktues është Bashkia Durrës, por projekti është përgatitur nga UKD, për Sistemimin KUB në rrugën Taulantia. Vlera e projektit është mbi 40 milionë lekë të reja dhe sipas Open Data, nuk ka patur garë. Pra e thënë më qartë Spartak Kovaçi përgatit specifikimet dhe kushtet e tenderit, dhe kriteret për tu shpallur fitues i plotëson vetëm kompania e babait.
Ndërsa lidhjet dhe marrëdhëniet mes drejtorëve të rilindjes faktohen të forta, të tilla janë edhe pazaret mes tyre, e këtu na del në skenë dhe lidhjet edhe me ‘5D’ e Erion Veliajt, ku dy skemat korruptive, gërshetohen mes tyre. Ndërsa ‘5D’ e drejtorëve të Erion Veliajt fitonin tendera nga OSHEE në Durrës, po në të njëjtën periudhë drejtorët e Belinda Ballukut fitonin tendera në Tiranë, pikërisht nga institucionet e drejtuara nga 5D, madje në një prej rasteve si koperim mes dy kompanive Adriatik shpk dhe 5D. Nga verifikimet rezultoi, se Adriatik SHPK në bashkëpunim me 5D, në dhjetor të vitit 2020 kanë fituar nga Ujësjellës Kanalizimet Tiranë tenderin për ‘Ndërtim tubacioni transmetimi, depo Daias’. Vlera e projektit ishte 771 milionë lekë, apo 7. 7 milionë euro. Një tjetër tender i fituar nga Adriatik shpk tek UKT është edhe ai për “Ndërtim linje transmetimi nga puseta Yzberisht deri në Depo Kombinat”, vlera e të cilit është 760 mijë euro. Në korrik të 2016, Adriatik shpk fitoi edhe tenderin “furnizimi me ujë në rrugën ”Thoma Koxhaj”” me vlerë 400 mijë euro. Të gjithë tenderat e fituar nga Adriatik shpk në UKT janë me flamur të kuq, çka nënkupton shkelje dhe pa garë. Por jo vetëm kaq, tendera të tjerë të fituar nga Adriatik shpk janë edhe “Mirëmbajtja e objekteve ndërtimore në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë” nga Operatori i Blerjeve të përqëndruara me vlerë 4. 4 milionë lekë.
Ky tender është fituar në bashkëpunim me kompaninë ERIL B&B e cila është pjesë e këtij investigimi. Ndërsa i biri drejtonte Ujësjellës Kanalizimet në Durrës, kompania e babait rezultonte e suksesshme në të gjitha Drejtoritë e Ujësjellsave të vendit, që gjithashtu janë në varësi të Belinda Ballukut dhe Ceno Klosit. Në vitin 2021, Adriatik shpk ka fituar një tender të majmë nga Bashkia Pogradec. Projekti me vlerë 264 milionë lekë, apo 2. 6 milionë euro parashikonte ndërtimin e Ujësjellësit të Mokrës, Faza 2. Edhe ky tender është me flamur të kuq e pa garë.
Një nga tenderat më flagrantë që ka përfituar kompania Adriatik shpk, është ai i për sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, faza e parë, projekt i financuar nga Programi i rindërtimit. Vlera e këtij tenderi të fituar në tetor të vitit 2021, është 19 milionë euro. Për të kuptuar më qartë qytetarët e Durrësit, abuzimi me këtë tender është pikërisht arsyeja, se pse sa herë bie shi, rrugët e Durrësit përmbyten.
Ky projekt parashikonte edhe ndërtimin e një hidrovori të ri shumë larg atij të vjetrit, çka duket se e ka bërë atë jo funksional dhe ende vijojnë testimet me të në kurriz të qytetarëve, që përmbyten çdo dimër, apo periudhë me rreshje. E ndodhur përballë akuzave të mediave, kryebashkiakja e Durrësi Emirjona Sako është përpjekur ta jutifikojë dështimin e projektit 19 milionë euro me problemet e shpronësimeve, por kjo nuk ka penguar lëvrimin e milionave për kompaninë e Petrit kovaçit, që gjatë periudhës 2022-2023 ka marrë 3. 3 milionë euro.
Shkurtimisht, që prej emërimit të Spartak Kovaçit si drejtor të Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, kompania e babait të tij ka njohur një rritje të menjëhershme me një xhiro prej 32 milionë euro, të përfituara drejtëpërdrejtë apo si nënkontraktor, para të cilat do duhet të hetohen nga SPAK. Ndërkohë që faturimi i kësaj kompanie për periudhën kohore 2014-2023 është mbi 37 milion euro./ SYRI.net