
Gazetar: Mihajllo Donev
Vazhdojnë hetimet për zjarrin në Koçan. Policia ka hyrë në shtëpinë e Dejan Jovanovski- Deko ku janë kryer kontrolle edhe në objektet E tjera gastronomike në pronësi të tij. Jozyrtarisht një ditë më parë janë thirrur për t’u marrë në pyetje edhe bashkëshortja dhe vajza e tij, por organet hetimore nuk e konfirmojnë informacionin. Kontroll është kryer edhe në Inspektoratin Shtetëror të Tregut në Koçan.
“Kontrolle janë kryer në shtëpinë e D.J., automjetin e tij “Insignia” dhe dy objekte gatronomike si dhe në Inspektoratin Shtetëror të Tregut– Dega në Koçan. Në shtëpinë e D.J. janë gjetur dhe konfiskuar kompjuterë laptopë, disa pajisje celulare, dokumentacion dhe gjësende të tjera. Në automjet dhe nga objektet gastronomike janë marrë disa gjësende si dhe është gjetur dhe marrë dokumentacioni financiar”, njoftojnë nga MPB-ja.
Nga zyra e inspektoratit të tregut në Koçan, policia ka sekuestruar një kompjuter, një laptop dhe një tablet, si dhe dokumentacionin lidhur me personat juridikë të lidhur me Jovanovskin. Nga hetimet për zjarrin në Koçan ku humbën jetën 59 persona deri më tani janë përfshirë gjithsej 34 persona fizikë dhe tre juridikë. Ekipi i prokurorisë që punon për këtë rast është zgjeruar në 11 hetues, të cilët marrin në pyetje mbi 300 dëshmitarë, ndërsa një ditë më parë kryeministri Hristijan Mickoski tha se pret zgjerimin e hetimeve dhe theksoi se kushdo që ka lidhje me këtë rast do të mbajë përgjegjësi. /Alsat.mk