Autoritetet greke kanë dënuar me 32 vite burg shtetasin shqiptar Nardi Idrizi, 39 vjeç, për ngjarjen e ndodhur në zonën e Gazit në Athinë, në dhjetor të vitit 2023, ku ai akuzohet për plagosjen me armë zjarri të tre personave.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 16 dhjetorit, kur pas një konflikti verbal me tre persona jashtë një lokali nate, Idrizi hapi zjarr duke plagosur rëndë të rinjtë. Viktimat ishin dy vëllezër nga Kreta dhe shoku i tyre, që ndodheshin në Athinë për të festuar beqarinë e njërit prej tyre.
Pas incidentit, Idrizi u arratis në Shqipëri, por u vetëdorëzua në polici në muajin mars 2025. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar menjëherë pas ngjarjes, ndërkohë që bashkëpunëtori i tij, Emiljano Jakupi, 35 vjeç, u arrestua nga policia greke.
E kaluara kriminale e Nardi Idrizit
Nardi Ismet Idrizi, i njohur gjithashtu si Fatbardh Idrizi, është lindur në Durrës dhe ka qenë banues në Vlorë. Ai ka një histori të gjatë kriminale në Shqipëri, përfshirë:
– Dënim prej 13 vjet e 4 muaj nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në vitin 2013 për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje të mbetur në tentativë, grabitje me armë, mbajtje pa leje të armëve luftarake, dhe sulme ndaj policisë.
– Pjesëmarrje në grabitje të armatosura në kazino, banka dhe karburante, përfshirë grabitjen e “Kazino Flamingo” dhe sulmin ndaj një karburanti në Vlorë në vitin 2012.
– Përfitim i paligjshëm uljeje dënimi në burgun e Fierit në vitin 2020, çështje që u hetua më vonë nga Prokuroria për shpërdorim detyre.
Familje me precedentë penalë
Vëllai i tij, Leonard Idrizi, ka qenë pjesë e bandës famëkeqe të “Coles” në Vlorë dhe është vrarë, ndërsa Nardi dyshohet se ka marrë më pas emrin e tij. Një tjetër vëlla, Joni Idrizi, është arrestuar në shkurt 2024 nga autoritetet greke, pasi kërkohej nga drejtësia shqiptare për shkelje të masës së sigurisë dhe përfshirje në grabitje të armatosura në vitin 2012.
Në prill 2024, Nardi Idrizi u shpall sërish në kërkim nga autoritetet greke si pjesë e një grupi që merrej me tregti të sendeve të vjedhura, çka e thellon edhe më tej dosjen e tij penale.