Gazetar: Zekirija Haxhiu
Atmosferë e tensionuar në Kuvend pasi deputetët e shumicës parlamentare nuk mbështetën kërkesën e Frontit Evropian që të mbahet debat mbikëqyrës për hetimet që po bëhen lidhur me tragjedinë në Koçan.
“Po ky parlament, ky vend, ky shtet, është i imi dhe do të jetë i imi. Të drejtën time nuk ka birr nane dhe nuk ka burrë dhe nuk ka qeveri dhe parlament dhe ekzekutiv që ma merr. Andaj vendose në rend të ditës, vendos në në rend të ditës dhe mos e mbroni Mickon dhe Toshkovskin. Faleminderit!”, tha Sadulla Duraki – Fronti Evropian.
“Ju faleminderit! Le të shërbejë për nderin tuaj! Cirk të tillë do të bëni në vende të tjera”, tha Ljupço Prenxhov – VMRO-DPMNE.
Nga Fronti Evropian këtë e cilësojnë si vazhdimësi e ligjit, siç e quajti deputeti Blerim Bexheti, të Mickoskit, të njohur si “do t’ju tërheqim për veshi! Me veprime të tilla, rrezikohet durimi i shqiptarëve, tha Bexheti.
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, theksoi se më e pakta që mund të bëjnë si deputetë, është të mbahet debat publik dhe të ndërpritet me përfitim të pikëve politike.
“Konsideroj se duhet më së paku Kuvendi të lejojë të diskutohet. Më së paku që mund të bëjmë! Përndryshe, nuk kemi as përgjegjësi morale e as etike më tej të vazhdojmë të flasim. Sepse 61 jetë ikën! Ndërsa ne, ende duam pikë politike për atë nëse duhet debat mbikëqyrës, nëse duhet komision anketues. Njerëz, nuk ka më kohë. Le të vazhdojë Prokuroria të punojë, por ne si deputetë duhet të tregojmë nëse duam të apo nuk duam që e vërteta të dalë në sipërfaqe”, tha Fatmir Bytyqi – LSDM.
Por nga shumica parlamentare edhe njëherë bëjnë të ditur nuk janë kundër këtij debati por se në të, të përfshihen edhe tragjeditë e tjera si “Llaskarca”, “Besa Trans” dhe “Spitali modular”.
“Dhe tani kur për herë të parë u hap ligji dhe listohet nen pas neni dhe thirren njerëz për hetime, askush nuk është i akuzuar, këtu askush askënd nuk ka akuzuar por udhëhiqen hetime. Tani ju këtu reagoni dhe u është kujtuar në mes të hetimit kur kemi mbi 50 të dyshuar për këtë rast, ju këtu të kërkoni debat mbikëqyrës. VMRO-DPMNE dhe koalicioni, absolutisht nuk jemi kundër debatit mbikëqyrës por këtu t’i fusim edhe ato raste që ndodhën në kohën tuaj”, u shpreh Dafina Stojanovska – VMRO-DPMNE.
Debati mbikëqyrës ishte pikë e vetme e rendit të ditës por e njëjta nuk u votua. “PËR” votuan vetëm deputetët e Frontit Evropian dhe LSDM-së, ndërsa nga VMRO, VLEN dhe ZNAM, nuk votuan as kundër e as të përmbajtur. Nga Fronti Evropian paralajmëruan se nuk do ta lënë me kaq, por këtë iniciativë do ta dorëzojnë përsëri, por këtë radhë te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. /Alsat.mk