Autori i vrasjes së shqiptarit Bledar Dedjan, trupi i të cilit u gjet i pajetë më 21 janar 2024 në një zonë pyjore në Via Dei Carpini, Pieve del Grappa, është lënë i lirë nga Gjykata për të Mitur të Venecias. Gjykata ka pranuar kërkesën e avokates së të miturit për të ndjekur një kurë psikologjike në komunitet.
Dyshohet se Bledar Dedja dhe 17-vjeçari kishin një lidhje homoseksuale që daton rreth një vit më parë, kur ata u njohën në ambientet e punës së shqiptarit. Dyshohet se Dedja e kishte bindur të miturin të kryente marrëdhënie seksuale në këmbim të parave, një ngjarje që mund të ketë çuar në përplasjen fatale.
Në ditën e krimit, i mituri u kap nga disa kamera sigurie të rrugës në sheshin e Paderno del Grappa, ku ai dhe Dedja ishin takuar për të udhëtuar së bashku. Dy të rinjtë janë filmuar duke udhëtuar në Mercedesin B-Class të 39-vjeçarit drejt një zone pyjore.
Pas vrasjes, 17-vjeçari ka hequr “qafë” thikën e përdorur për krimin, çelësat e makinës së viktimës dhe disa rroba të ndotura me gjak, të cilat janë gjetur pranë vendngjarjes. Dyshohet se gjatë përleshjes, adoleshenti ka pësuar lëndime me thikë në dorë, dhe më pas është larguar në këmbë drejt Via Dei Carpini.
Një kamerë tjetër sigurie e ka kapur të miturin teksa bënte autostop për të udhëtuar deri në stacionin e autobusit, ku gjurmët e tij humbasin përkohësisht. Ai ka shkuar më pas në një urgjencë spitali, ku ka kërkuar ndihmë për plagët në dorë.