Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka nisur hetimet ndaj një mësuesi në Prrenjas, i cili është kallëzuar nga drejtori i shkollës, se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse.
Fatmir Hoxha akuzohet veprën penale “Ngacmimi seksual” kundër fëmijëve, parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal, pas referimit të informacionit nga Komisariati i Policisë Librazhd, se më datë 16.04.2025, shtetasi V.A, drejtor i shkollës “Sali Halili”, në fshatin Rrajcë, Prrenjas ka kallëzuar faktin se i kishin ardhur informacione se shtetasi Fatmir Hoxha, mësues i lëndëve “Histori-Gjeografi në shkollën vartëse “Ali Hana”, në fshatin Skënderbej, Prrenjas, kishte ngacmuar seksualisht dy nxënëse të tij në klasën e VIII dhe në klasën e IX.
Pas marrjes së informacionit, janë kryer menjëherë veprimet e para procedurale dhe hetimore nën drejtimin e prokurorit të çështjes, ku janë pyetur punonjës të shkollës ku dyshohet se është kryer vepra penale, prindër të viktimave të mitura, janë administruar përmes këqyrjes dokumente të mbajtura nga ana e stafit administrativ të shkollës në fjalë, si dhe vendimi për pezullimin nga detyra të shtetasit Fatmir Hoxha.
Si rezultat i këtyre veprimeve paraprake hetimore është krijuar dyshimi se shtetasi Fatmir Hoxha, duke shfrytëzuar detyrën e tij si mësues dhe faktin që në klasat e viktimave të mitura nuk ka patur shumë nxënës të tjerë, pasi krijonte situata ku ato të gjendeshin vetëm, ka kryer sjellje me natyrë ngacmuese seksuale kundrejt tyre.
Në kushtet e dyshimeve të krijuara si më lart, është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Fatmir Hoxha, i cili nuk është gjetur në ambientet e banesës së tij.
Ndërkohë, po më datë 16.04.2025, në orët e mbrëmjes, ky shtetas është kapur në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, teksa është paraqitur për të dalë nga territorit i Republikës së Shqipërisë për në Austri, përmes një linje ajrore.
Duke vlerësuar rrezikun e ikjes së shtetasit Fatmir Hoxha, është proceduar me ndalimin e tij.
Lidhur me rastin, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është ngritur një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga prokurori dhe OPGJ të specializuar për çështje me viktima të mitur, si dhe janë njoftuar njësitë përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve dhe strukturat shtetërorë përgjegjëse.
Njëkohësisht, po vijohet me thellimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të faktit penal dhe identifikimin e rasteve të tjera potenciale në të njëjtën shkollë të kryer nga personi nën hetim Fatmir Hoxha.