Këngëtarja e njohur shqiptare, Arta Bajrami, një prej emrave më të respektuar të muzikës moderne në trojet shqiptare, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me angazhimin e saj artistik.
Në një intervistë të fundit, Bajrami theksoi se pavarësisht sfidave të tregut muzikor dhe ndryshimeve të shpejta që sjellin platformat digjitale, ajo nuk ka ndërmend të heqë dorë nga dashuria e saj më e madhe – muzika.
“Nuk do ta lë kurrë muzikën, është pjesë e imja. Mund të mos jem shumë prezente me projekte të shpeshta, por pasioni im për muzikën është i pandryshueshëm,” tha këngëtarja, duke lënë të kuptohet se angazhimi i saj artistik nuk matet me frekuencën e videoklipeve të publikuara.
Sipas Bajramit, dinamika e industrisë së muzikës ka ndryshuar dukshëm në vitet e fundit. Në një kohë kur trendi mbizotërues është realizimi i videoklipeve të shpeshta për të ruajtur një prani të vazhdueshme në rrjetet sociale dhe platformat muzikore si YouTube e Spotify, Arta zgjedh t’i qëndrojë besnike ritmit të saj, duke u fokusuar më shumë në cilësinë dhe origjinalitetin e projekteve.
“Është bërë trend që këngëtarët të publikojnë shumë shpesh këngë dhe videoklipe. Është një mënyrë për të qëndruar në vëmendje, dhe e respektoj secilin që zgjedh të punojë kështu. Por unë kam stilin tim.
Nuk më pëlqen të jem pjesë e garës për klikime. Më e rëndësishme për mua është që secili projekt të ketë shpirt, të ketë një mesazh të vërtetë dhe të reflektojë atë që unë jam si artiste,” shpjegoi ajo.
Në këtë drejtim, Bajrami kujtoi rolin e saj të rëndësishëm në skenën muzikore shqiptare dhe ballkanike, duke vënë theksin në faktin se ishte pikërisht ajo që solli për herë të parë muzikën R&B në këtë hapësirë gjeografike. “Kam qenë e para që solla R&B në Ballkan. Atëherë ishte diçka shumë e re dhe e guximshme. Nuk ishte një treg që priste ose kërkonte atë lloj muzike, por unë besoja në atë që bëja. Sot, kur shoh që shumë artistë të rinj eksperimentojnë me R&B, më mbush krenari të di se kam hapur një rrugë,” tha Bajrami me emocion.
Ajo theksoi se evolucioni është i natyrshëm në art, dhe se çdo brez sjell risitë e veta, duke e pasuruar më tej skenën muzikore. “Gjeneratat e reja gjithmonë do të sjellin energji të reja, ide të reja. Kjo është bukuria e artit – ai nuk qëndron kurrë në vend, por zhvillohet me kohën,” shtoi ajo.
Në një pjesë tjetër të intervistës, Arta Bajrami foli edhe për sfidat në bashkëpunimet artistike. E pyetur përse rrallë e shohim në duete ose projekte të përbashkëta me artistë të tjerë, këngëtarja shpjegoi se nuk është çështje egoje, por thjesht kërkon që bashkëpunimi të jetë autentik dhe i përshtatshëm me stilin e saj muzikor.
“Nuk mund të bashkëpunoj thjesht për bashkëpunim. Më duhet të ndiej që muzika, ideja, energjia jonë përputhen. Ka pasur raste kur më kanë propozuar projekte dhe, sinqerisht, nuk kam parë veten time në ato ide. Njëri më tha ‘Arta, kemi një ide’, ma tregoi dhe unë nuk e njoha fare atë çfarë më ofroi. Natyrisht, ai u mërzit pak, por për mua është shumë e rëndësishme që çdo bashkëpunim të jetë i vërtetë dhe jo thjesht një kalkulim komercial,” shpjegoi artistja.
Në mënyrë mjaft ironike, Bajrami komentoi edhe mbi fenomenin e klikimeve të fryra në industrinë muzikore shqiptare, ku këngë me shifra të pabesueshme dëgjueshmërie nuk reflektojnë gjithmonë vlerën artistike të projekteve.
“Ka ndodhur që shoh projekte me miliona klikime për natë. Neve edhe Kina po na dëgjon shumë, mesa duket,” tha ajo me një buzëqeshje të lehtë ironike, duke nënkuptuar fenomenin e blerjes së klikimeve dhe manipulimeve digjitale që është bërë praktikë e përhapur.
Përfundimisht, intervista e Artës Bajrami përçoi një mesazh të qartë: në një kohë ku tregu muzikor shpesh favorizon sasinë mbi cilësinë, ajo zgjedh të qëndrojë besnike ndaj vetes, ndaj muzikës së saj dhe ndaj publikut që e ka ndjekur ndër vite për vlerat që përfaqëson./ORAinfo/