Gazetar: Suad Bajrami
Qeveria në seancën e sotme i dha dritë jeshile propozim-ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili duhet të zëvendësojë Balancuesin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar. Kryeministri Hristijan Mickoski, bashkë me zëvendësit e tij Izet Mexhiti dhe Arben Fetai, theksuan që ligji është një balancues mes përfaqësimit etnik të komuniteteve nëpër institucione, por edhe profesionalizmit dhe meritokracisë.
“Ky ligj ka qëllim të qartë. Administrata të jetë shërbyes i vërtetë ndaj të gjithë qytetarëve, por i ndërtuar në bazë të meritave, njohurive, profesionalizmit, integritetit, në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Ligji është garanci se komunitetet etnike do të jenë të përfaqësuara në mënyrë të drejtë dhe adekuate. Por, njëkohësisht në një proces të tillë ai do t’i mbrojë cilësitë e të gjithë komuniteteve etnike. Ky ligj është balancues i shkëlqyer dhe nxitje për cilësitë dhe i mbron të drejtat e të gjithëve”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
“Edhe pse është dashur të rregullohet me ligj që nga viti 2003, kjo çështje është lënë peng i vullnetit politik për më shumë se dy dekada. Projektligji garanton qasje të barabartë në punësim dhe avancim në administratën publike. Përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive në institucionet publike, por edhe duke siguruar që punësimi dhe avancimi të bëhen në bazë të meritës dhe kualifikimit të secilit individ. Ky hap i vonuar, por i domosdoshëm e largon përfundimisht përfaqësimin nga ndikimi i politikës ditore dhe e bën të drejtë ligjore për secilin qytetar pa dallim etnie”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Ligjin, Qeveria do ta dorëzojë për mendim në Komisionin e Venecias me qëllim të shmanget rrëzimi i tij në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Komisioni jep mendim pozitiv, atëherë ligji do të dorëzohet në procedurë parlamentare ku duhet të diskutohet, ndërsa kryeministri nuk përjashton mundësinë e intervenimit me amendamente. Sa i përket kritikave të BDI-së për këtë propozim ligj , detajet e të cilit i shpalosi para ca ditësh Alsat, Mickoski përgjigjet:
“Nuk mendoj se qëllimi i njerëzve të BDI-së është të flasin për thelbin, por qëllimi është për gjithçka të jemi kundër dhe në mënyrë etnike t’i polarizojmë çështjet. Ky është qëllimi. Verbërisht, asgjë nuk duhet të shohin, vetëm të polarizohen çështjet”, shtoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ligji parashikon që të formohet një Trup Koordinues ekzekutiv në kuadër të Qeverisë, i cili do të jetë përgjegjës për ndjekjen dhe analizimin e përfaqësimit etnik. Trupi, do të udhëhiqet nga njëri prej zëvendëskryeminsitrave, ndërsa në të do të ketë dhe ministra, por edhe përfaqësues të institucioneve përkatëse. Trupi Koordinues, do të miratojë Metodologji për Planifikimin e Punësimeve, ndërsa institucionet do të jenë të obliguara ta respektojnë të njëjtën. Deklarimi i përkatësisë etnike, kryesisht do të bëhet nëpërmjet gjuhës së dokumentit personal, por edhe të dhënave tjera të cilat institucionet do t’i kryqëzojnë. Profesori i të drejtës kushtetuese, Jeton Sashivari, i cili ka qenë pjesë e grupit punues që ka hartuar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat tha për Alsat se me këtë ligj, për dallim prej Balancuesit, avancohet zbatimi i përfaqësimit./Alsat.mk