Kryeministrja britanike, Theresa May do të njoftojë zyrtarisht Bashkimin Europian gjatë së mërkurës së ardhshme, se Britania e Madhe do të nisë procesin e largimit nga blloku 28-anëtarësh.
“Downing Street” njoftoi këtë të hënë se kryetarja e ekzekutivit britanik do t’u shkruajë një letër 27 krerëve të tjerë të BE-së, duke shtuar edhe pritshmërinë e saj se negociatat do të nisin sa më shpejt të jetë e mundur që pas aktivizimit të “nenit 50” të Traktatit të Lisbonës.
Kjo lëvizje e Britanisë vjen 9 muaj pasi britanikët në tërësi votuan me 51.9% në favor të shkëputjes nga BE-ja në referendumin e qershorit të vitit të kaluar.
Bisedimet mbi kushtet e largimit dhe marrëdhënieve të ardhshme dypalëshe nuk lejohen të zhvillohen tashmë për shkak të “nenit 50”, por mund të nisin vetëm pasi Britania e Madhe të njoftojë BE-në se do të largohet.
Nëse gjithçka shkon sipas udhërrëfyesit zyrtar të përcaktuar për negociata dyvjeçare, “Brexit” mund të bëhet realitet në mars të vitit 2019. Një zëdhënës i “No 10” tha se ambasadori i Britanisë në BE, Sir Tim Barrow e ka informuar Këshillin Europian, me në krye presidentin Donald Tusk, mëngjesin e sotëm, se “neni 50” i Traktatit të Lisbonës do të aktivizohet.
May pritet të bëjë një deklaratë të shkurtër në Dhomën e Përfaqësuesve menjëherë pas aktivizimit të këtij neni, e pas saj pritet që edhe 27 anëtarët e tjerë të BE-së të bien dakord mbi kushtet e tyre, e brenda 48 orëve do të japin edhe përgjigjen fillestare.
Aktivizimi i nenit 50 fillon më 29 mars.
Zëdhënësi shtoi se qeveria britanike dëshiron që negociatat të nisin sa më shpejt të jetë e mundur, por shtoi se “mirëkuptojnë tërësisht se, është e drejta e 27 vendeve të tjera anëtare të BE-së që të marrin kohën e mjaftueshme për të rakorduar pozicionet e tyre”.