Tre tërmete të forta kanë goditur gjatë natës Italinë qëndrore. I pari dhe më i forti me magnitudë 6 ballë i shkallës Rihter është regjistruar rreth orës 03:36 rreth 2 km nga qyteti i Accumolit dhe 10 km nga Arquata del Tronto dhe Amatrice.
Tërmeti i fuqishëm ka goditur Italinë qendrore, në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar 38 të vdekur e qindra të plagosur, ndërsa shumë banesa janë rrafshuar.
Qyteti Amatrice ka pësuar dëmet më të mëdha, ku kryebashkiaku i saj është shprehur se qyteti pothuajse nuk ekziston më. “Rrugët janë të bllokuara. Gjysma e qytetit është zhdukur”, ka thënë kryetari i kësaj komune, Sergio Pirozzi.
“Ka njerëz që janë të bllokuar nën gërmadha… Ka pasur rrëshqitje të dheut dhe ura mund të rrëzohet”,shprehet ai
Pas lëkundjes së parë, janë ndjerë edhe dy të tjera, me mangitudë 5,1 dhe 5.4, me epiqendër 5 km larg Norcia-s.
Raportohet për 2 të vdekur në nell’Ascolano, 5 në Amatrice, 6 në Accumoli dhe 3 në Arquata del Tronto Agjencia për Mbrojtje Civile në Itali ka thënë se tërmeti ishte “i rëndë” dhe ka pasur raportime për dëme edhe në zonat malore.
Ky tërmet është ndjerë edhe në qytetin e Romës dhe epiqendra e tij ishte afër l’Aquila, ku një tërmet prej 5.9 shkallë të Rihterit vite më parë kishte lënë të vdekur 309 persona.
Qytetet më të prekura nga ky tërmet janë Accumoli, Amatrice, Posta dheArquata del Tronto.
Ora 11:11 Sizmologu Rrapo Ormeni është shprehur se Durrësi, Shkodra, Dibra, Saranda, Vlora, Lushnja, Elbasani e Dibra janë zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Shqipëri
Sizmologu Rrapo Ormeni në një lidhje telefonike për Report Tv është shprehur se duke parë këtë tërmet shkatërrues mund të themi se numri i viktimave fatkeqësisht do të jetë në rritje. Sa i përket tërmeteve në vendin tonë Ormeni u shpreh: “Tërmete më magnitudë mbi 6 kanë rënë edhe në vendin tonë. Tirana në krahasim me zonat e tjera të vendit është më pak e rrezikuar. Durrësi, Shkodra, Dibra, Saranda, Vlora, Lushnja, Elbasani dhe Dibra janë disa nga zonat më të rrezikuara nga tërmetet”.