Mbi 30 mijë kosovarë që ikën në Perëndim, para dy vjetësh janë kthyer

Të paktën 32 mijë qytetarë të Kosovës të larguar nga vendi në valën e ikjes, dy vjet më parë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, janë riatdhesuar, kanë bërë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

 

Riatdhesimi i tyre thuhet se është bërë qoftë në mënyrë vullnetare, në disa raste, por edhe me forcë.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme, Fitim Zariqi, i tha Radios Evropa e Lirë se më së shumti qytetarë të kthyer, të cilët janë riatdhesuar, janë nga shteti i Gjermanisë dhe atë rreth 13 mijë në mënyrë vullnetare dhe mbi 11 mijë me forcë.

Të riatdhesuar, sipas Zariqit, ka pasur edhe nga Austria, Franca, Belgjika dhe shtetet e tjera.

“Në periudhën 2015 – 2016 janë riatdhesuar 31,819 qytetarë të Kosovës. Riatdhesimi është duke vazhduar, mirëpo sfidë kryesore është riatdhesimi i të sëmurëve (sëmundje të llojeve te ndryshme), si dhe akomodimi i kësaj kategorie”, ka theksuar Zariqi.

Mijëra qytetarë të Kosovës në mënyrë të paligjshme morën rrugën e migrimit drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015, duke shfrytëzuar kufirin e ‘brishtë’ ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

Vala e madhe e migrimit të qytetarëve nga Kosova detyroi autoritetet në Hungari, Serbi, Austri dhe Gjermani, që të forcojnë kontrollet e kufirit, për të penguar kalimin e paligjshëm. Numri i të shpërngulurve nga Kosova ra pas një ashpërsimi të kontrolleve dhe shumë qytetarë që migruan në mënyrë të paligjshme u rikthyen në Kosovë.

Një nga të rikthyerit në mënyrë të detyrueshme nga Gjermania është Rrustem Krasniqi.

Së bashku me bashkëshorten e tij në shkurt të vitit 2015, ai u nis drejt Hungarisë përmes Serbisë dhe më pas arriti në Gjermani në, siç thotë, “kërkim të një jete më të mirë”.

Pas qëndrimit 7 mujor, autoritetet gjermane morën vendimin për kthimin e detyrueshëm të tij në Kosovë.

“Në Gjermani nuk e kemi pasur aspak lehtë. Në një vend të panjohur pa dokument, pa asgjë. Aty qëndruam 7 muaj dhe nuk kemi pasur të drejtë pune. Pastaj na ka ardhur një letër në kampin ku kemi qëndruar dhe na është treguar se në cilën ditë do të ktheheni. Pastaj na kanë kthyer pa dëshirën tonë. Kur jemi kthyer nuk na është ofruar ndihmë nga institucionet e Kosovës”, tregon Krasniqi.

Riatdhesimi i qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë jetuar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, u bë pas marrëveshjeve të shumta që autoritetet e Kosovës nënshkruan me disa nga shtetet e Bashkimit Evropian, si pjesë të obligimeve ndërkombëtare në proceset e përafrimit të vendit me BE-në.

Mirëpo, përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut në Kosovë thonë se marrëveshjet për riatdhesim nuk e ndihmuan vendin në një kohë të krizës së tij ekonomike.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka kapacitet për një numër kaq të madh të të riatdhesuarve.

“Qeveria e Kosovës ka bërë një gabim ku për shkak të disa proceseve integruese apo procesit të liberalizimit të vizave, ka qenë e detyruar të nënshkruajë marrëveshje me shtetet perëndimore pa e analizuar mundësinë që ka për të pranuar dhe integruar të riatdhesuarit. Ka nënshkruar marrëveshje edhe pse e ka ditur që nuk ka kapacitete”, thekson Shala.

Shumë nga të riatdhesuarit, thotë Shala, nuk kanë arritur të krijojnë një jetë të mirë ekonomike dhe sociale, ashtu siç e kanë pasur në vendet ku kanë jetuar, dhe kjo sipas tij, bënë që të njëjtit të mendojnë prap largimin nga vendi.

Largimi megjithatë është bërë pothuaj i pamundshëm dhe Rrustem Krasniqi thotë se forcimi ‘i kontrolleve të kufijve’ e bënë shumë të vështirë arritjen në ndonjërin vend të BE-së.

Shumë vende të Bashkimit Evropian ndërkaq e kanë futur Kosovën në listën e vendeve të sigurta. Shtetasit e Kosovës të cilët mund të kërkojnë azil, nuk do t’iu njihet kjo e drejtë dhe ata do të kthehen në Kosovë. (REL)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme