Zyrtarët e lartë shtetërorë që punësuan familjarët e tyre

24 Gusht 2016 – Sakte.net 15:31

 

Punësimet familjare tashmë janë normë në Kosovë. Zyrtarët që kishin pozita kishin shfrytëzuar pushtetin që t’i rehatonin familjarët nëpër institucione të rëndësishme. Pa përjashtuar asnjë parti politike, të gjithë i kanë të punësuar familjarët në institucione shtetërore.

Të njëjtën e kishte bërë ish këshilltari i Hashim Thaçit, Dukagjini Gorani, i cili kishte punësuar bashkëshorten e tij në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Aspalia Loxha-Gorani aktualisht mban pozitën zyrtare për burime njerëzore në AKP, raporton Indeksonline.

Ish ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, Ilir Mirena, po ashtu kishte punësuar bashkëshorten në AKP. Edita Mirena është e punësuar në departamentin e shitjes në këtë institucion.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka të punësuar gruan në Bankën Qendrore të Kosovës. Bashkëshortja e Gashit pagë vjetore në BQK merr 12 mijë e 161 euro.

Po ashtu gruaja e liderit të Vetëvendosjes, Visar Ymerit, merr pagë nga buxheti i shtetit. Bashkëshortja e Ymerit është e punësuar në Doganat e Kosovës që paguhet 8 mijë e 218 euro në vit.

Bashkëshortja e Blerand Stavilecit, ministrit aktual të Zhvillimit Ekonomik, është e punësuar në PTK ku të ardhurat mujore i ka 1 mijë e 86 euro.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu ka të punësuar gruan në PTK. Pagë vjetore bashkëshortja e Haxhiut i merr 10 mijë e 862 euro.

Ish kryetari i Komunës së Ferizajt, tash deputeti i Kuvendit, Agim Aliu ka të punësuar gruan në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë. Paga e saj vjetore është 5 mijë e 4 euro.

Deputetit të LDK-së, Armend Zemajt, e ka gruan të punësuar në Ministrinë e Drejtësisë, ku paga e saj vjetore është 5 mijë e 446 euro.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri e ka të punësuar bashkëshortin në Administratën Tatimore të Kosovës, ku pagë vjetore ka 8 mijë e 431 euro.

Bashkëshortja e deputetit të PDK-së, Bislim Zogaj është e punësuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, që ka të ardhura vjetore 9 mijë e 200 euro. Kujtojmë se Zogaj ishte për 5 vite drejtor në Bordin e ANP- Adem Jashari.

Edhe deputetit të NISMA-së, Haxhi Shalës, i punon bashkëshortja në PTK. Ajo merr pagë vjetore 7 mijë e 560 euro.

Nëpër institucione shtetërore ka rehatuar familjar edhe Jakup Krasniqi, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës. Djali i vëllait të Krasniqit, Dardani, është drejtor i administratës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Po ashtu Krasniqi kishte punësuar vëllain në Kuvend të Kosovës, aty ku ishte shef vet.

Avdyl Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit,  ishte emëruar sekretar në Autoritet e Konkurencës, organ ky që mbikëqyret nga Kuvendi dhe duhet të jetë i pavarur.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa e ka gruan të punësuar në NH Ibër Lepenc SHA që ka pagë vjetore 14 mijë e 19 euro, raporton Indeksonline.

Deputeti tjetër i PDK-së, Nait Hasani ka të punësuar gruan në FSK që merr pagë vjetore 9 mijë e 762 euro.

Rafet Ramës, deputetit të PDK-së, që ishte i vetmi kundërkandidat për president ndaj Hashim Thaçit, i punon bashkëshortja në Postën e Kosovës ku pagë vjetore merr hiq më pak se 26 mijë euro.

Deputeti i PDK-së, që kishte dhënë dorëheqje, Rrustem Mustafa, i punon gruaja në Ministrinë e Arsimit që pagë mujore merr 450 euro.

Edhe Petrit Selimi, që ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme ka punësuar bashkëshorten në Ministrinë e Integrimeve, ku ministër është bashkë partiaku i tij, Bekim Çollaku.

Arlinda Ramadani, bashkëshortja e Selimit, është shefe e kabinetit në MI, ndërsa ka punuar edhe në kohën kur ishte ministre Vlora Çitaku.

Shefja e stafit në kryeministri, Vlora Dumoshi, nuk ka pritur gjatë që t’i rehaton familjarët. Ajo ka punësuar djalin, Rron Kryeziun në Ministrinë e Punëve të Jashtme, gjegjësisht në ambasadën e Kosovës në SHBA.

Dumoshi po ashtu ka punësuar motrën, Albiona Malokun në bordin e “Ibër Lepencit”.

Uzurpimi i institucioneve nuk ka tjetër emër, përveç këtyre që u përmendën më lartë që e kanë instaluar familjarizimin deri ne palcë në administratën shtetërore më të korruptuar në Ballkan./Indeksonline/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme