Profesorë të universiteteve evropiane dhe amerikane letër publike rektorit Dema: Të ndalohen keqpërdorimet në UP

Studiues dhe ligjërues të universiteteve të ndryshme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë drejtuar me një letër publike ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe rektorit Marjan Demaj lidhur me rastin e profesorit Arben Hajrullahu dhe trajtimit që po i bëhet atij nga Universiteti i Prishtinës.

Përmes kësaj letre kërkohet që të parandalohen keqpërdorimet në Universitetin e Prishtinës, pasi sipas tyre, rasti i profesor Hajrullahut dhe të tjerëve të ngjashëm janë zhgënjyese për studiuesit e ndershëm dhe nuk e ndihmojnë ‘kthimin e trurit’ në Kosovë.

Lexoni të plotë letrën e këtyre studiuesve me angazhim në universitete të ndryshme në Evropë dhe SHBA:

“I nderuar z. Rektor,

Ne të poshtëshënuarit, doktorantë dhe staf akademik në Universitete të ndryshme të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes kësaj letre shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me trajtimin e Profesor Arben Hajrullahut nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës (UP).

Përmes mediave jemi njoftuar se Profesor Hajrullahu po pengohet të rizgjedhet profesor i rregullt ngase ndaj tij po aplikohet zbatim i dyshimtë dhe jo i njëtrajtshëm i procedurave. Ne kërkojmë nga Universiteti i Prishtinës dhe institucionet tjera përgjegjëse që të parandalojnë mundësinë e keqpërdorimit të konkursit publik në rastin e Profesor Hajrullahut, si dhe të të gjitha rasteve tjera të tilla në Universitetin e Prishtinës. Fatkeqësisht, raste të tilla janë zhgënjyese për studiuesit e ndershëm dhe nuk e ndihmojnë ‘kthimin e trurit’ në Kosovë.

Pengimi i rizgjedhjes së Profesor Hajrullahut duket të jetë i ndërlidhur me aktivitetin e tij në shërbim të ngritjes së llogaridhënies, përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie, dhe parandalimit të shkeljeve të normave akademike në UP. Profesor Hajrullahu është ndër të rrallët që ka kritikuar dhe denoncuar publikisht parregullsi dhe keqpërdorime në institucionin ku punon. Prandaj ne jemi posaçërisht të shqetësuar që ky rast paraqet tentim për heshtjen e zërave të pavarur në njërin prej institucioneve më të rëndësishme të vendit. Si punëtorë të shkencës dhe arsimit, ne kemi përgjegjësi profesionale ta mbrojmë pavarësinë e kolegëve tonë dhe të drejtën e tyre për të monitoruar dhe kritikuar aktivitetet e institucioneve akademike. Ne shprehim shqetësim, po ashtu, për kanosjen e integritetit dhe reputacionit akademik të Profesor Hajrullahut, një bartësi të titullit Magjistër dhe Doktor shkence nga Universiteti i Vjenës, profesionist i dëshmuar për angazhimet dhe kontributin e tij shkencor, dhe ish-bursist i programit amerikan Fullbright.

Ne mbështesim vlerësimin efektiv, rigoroz, dhe të drejtë të të gjithë stafit mësimdhënës dhe shkencor në UP. Rrjedhimisht jemi të brengosur, po ashtu, se rekomandimi i menaxhmentit të Fakultetit Filozofik për rishpallje të konkursit publik ende pa përfunduar procedurat e rregullta paraqet shkelje të normave ligjore në fuqi. Kjo vetëm sa e konfirmon brengën e përgjithshme publike për keqmenaxhime brenda UP-së.

Prandaj i bëjmë thirrje Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të parandalojnë çfarëdo keqmenaxhimi të konkurseve publike.

Vetëm aplikimi i paanshëm dhe rigoroz i mekanizmave vlerësues në UP dhe respektimi i integritetit dhe parimeve akademike do ta mundësojë realizimin e misionit të UP-së për avancimin e dijes, shkencës, dhe zhvillimit në Kosovë.

Nezir KRAKI, Ligjërues (Shkenca politike), Université Paris Est, Francë.

Pëllumb KELMENDI PhD, Hulumtues post-doktoral, University of Michigan, SHBA.

Arlinda RRUSTEMI, Mësimdhënëse dhe Hulumtuese, Leiden University, Holandë.

Alban HALITI, Hulumtues, The Graduate Institute Geneva, Zvicër.

Roland GJONI, PhD Candidate/Teaching Assistant, University College Dublin, Irlandë.

Lenhard HAMZA, Kandidat për Doktoraturë, Universiteti i Vjenës, Austri.

Krenar GASHI, Doctoral Fellow, Ghent University, Belgjikë.

Kujtim DOBRUNA, Ekonomist, Zvicër/Kosovë.

Leandrit MEHMETI, Ligjërues, Universiteti i Australisë Jugore, Australi.

Besnik PULA PhD, Assitant Professor, Viginia Tech, SHBA.

Faruk RAMADANI PhD, Postdoctoral Research Fellow, King’s College London, Angli.

Jeta RUDI PhD, Assistant Professor, Universiteti Politeknik Publik i Kalifornise, ShBA.

Gent CARRABREGU, Kandidat për Doktor shkence, Northwestern University Illinois, SHBA”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme