Mesazhe dhe biseda të reja telefonike janë lexuar, të enjten, në gjykimin kundër ish-ministrit të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomit (MTPT), Fatmir Limaj, si dhe të tjerëve që po përballen me drejtësinë për krim të organizuar, shkruan sot Koha Ditore.
Gjykimi ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit, Ali Aliu, i cili ka qenë i akuzuar me grupin e Limajt. Mirëpo, prokuroria në fazën e shqyrtimit fillestar është tërhequr nga akuza kundër tij, duke konsideruar se nuk ka prova të mjaftueshme për ta ndjekur penalisht.
Megjithatë, ai është ftuar që në cilësinë e dëshmitarit të japë sqarime rreth disa mesazheve që ka shkëmbyer me të akuzuarit.
Ish-ministri Fatmir Limaj, bashkë me Nexhat Krasniqin, Endrit Shalën, Florim Zukën, si dhe Shpëtim Telakun akuzohen nga prokuroria për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.