Kreu i LSI-së Ilir Meta ka sqaruar qëndrimin e tij publik për një qeveri besimi që të shihej si një mundësi për ti dhënë garanci opozitës të rikthehej në parlament dhe të bëhej pjesë e procesit të zgjedhjeve, për të shuar dyshimet e saj se në 18 qershor do të ketë vjedhje të votës.
I ftuar në emisionin “Arena” në Ora News, Meta tha se ky qëndrim ka gjasa të ketë habitur edhe përfaqësues të mazhorancës. Megjithatë ai nuk e kuptoi këtë reagim, pasi siç u shpreh, ai ka qenë gjithmonë i qartë me anëtarët socialistë të qeverisë për qëndrimin e tij se “nuk ka zgjedhje pa opozitën”.
Megjithatë, Meta duket se habinë më të madhe e ka marrë nga Basha. Kryeparlamentari tha se fakti që lideri demokrat nuk po jep një përgjigje të qartë ndaj ftesës së Ramës për tu ulur në dialog, pas thirrjes që i bëri Meta, tregon se Basha nuk ka qenë i përgatitur për këtë situatë, transmeton Express.
“Përfaqësues të mazhorancës mund të kenë qenë pak të habitur nga qëndrimi publik, po unë edhe nga afër unë atyre ja kam shprehur këtë thelb të qëndrimit tim. Në çdo rast unë mendoj se edhe opozita nuk ka qenë shumë e përgatitur, për arsye se ende nuk kemi një përgjigje të qartë të opozitës për dialogun, dhe shpresoj që sa më shpejt të ketë një strukturë të këtij dialogu”, – u shpreh Meta.
Aleati kryesor në qeveri, sqaroi edhe termin që për herë të parë u përdor nga LSI “qeveri besimi” dhe që erdhi si një ftesë ndaj opozitës për të marrë mandatin e kryeparlamentarit, ministrave dhe posteve zyrtare që ka LSI, në mënyrë që të ketë angazhimin e saj në procesin përgatitor dhe të zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare.
“Qeveri besimi s’duhet të thotë patjetër që duhet të iki kjo qeveri dhe të vijë tjetër. Nëse kjo qeveri jep garanci për zgjedhjet duke plotësuar kërkesat e opozitës, atëherë po. Unë kam pasur shqetësim që retorika e kryeministrit nuk ka qenë ndihmuese për një dialog, mirëkuptim, secili ka mbajtur pozicionet e veta”, theksoi Meta.
A do të mbahen zgjedhjet më 18 qershor? Më e rëndësishme sipas Metës, është që opozita të jetë pjesë e tyre.
“Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që zgjedhjet të bëhen në 18 qershor. Më e rëndësishme se data është që zgjedhjet të jenë me opozitën dhe të gjithëpranuara. Për këtë duhet dialogu dhe një marrëveshje. Të mbyllim ciklin 27 vjeçar të kontestimit të zgjedhjeve”, përfundoi ai