Prontodemarkacioni

Autor: Adnan Rrustemi

Që degradimi i Republikës ka arritur kulmin e tij dhe shteti dhe shtetësia janë vetëm një fjalë e derivuar që po e humbet kuptimin çdo ditë e më shumë, tashmë nuk mund të mohohet nga askush, madje as nga ata të cilët deri dje kanë mbështetur e mirëmbajtur këtë regjim.

Gjithçka është e qartë: Republika, nga të qenurit përcaktues i qenies sonë si kolektivitet brenda saj, si dhe shtysë për ta mbrojtur dhe ecur përpara, po shndërrohet në një element mundësues i satisfakimit të interesave personalë të një grupi uzurpuesish, një arenë shefash të shefave, të cilët e kanë lodhur aq shumë dhe janë aq dominues të saj, saqë ajo ka filluar të mos duket e vlefshme për ta ruajtur e mbrojtur.

Për sa kohë “shefat”, të cilët, nën moton “kap çfarë të mundesh”, po gllabërojnë gjithçka të vlefshme,  populli, i cili nën tisin e poshtërimit dhe rraskapitjes shpirtërore e materiale, po vazhdon të shtypet, duke qenë përditë dëshmitar i asaj se deri në ç’nivel ka arritur litari në kockat e tij. Së fundi, kemi qenë dëshmitarë të një sage bisedash krupëndjellëse, ndërmjet “shefash të shefave”, të cilët duke shtrembëruar e shkërmoqur fjalë të gjuhës shqipe, po na i servojnë në pjatë të argjendtë ato që ne i kemi ditur e thënë tashmë. Pra, shkërmoqja e fjalëve trason shkërmoqjen e shtetit, me një lehtësi dhe komoditet të frikshëm, deri në shkatërrim. Kësisoj, e gjithë përmbajtja e bisedave të përgjuara, ngërthen atë çfarë po i bëhet vendit dhe popullit. Brenda çdo fraze ndodhet një grimcë mundësie e humbur e secilit prej nesh, për pasojë mundësia e humbur për shtet dhe Republikë të plotë.

Një mundësi e cenuar, që rrotullohet rreth një “dosti”, i cili kontrollon gjithçka, edhe segmentet më të thjeshta të shtetit, në mënyrë që të pamundësoj segmentet më të larta të tij. Në një vend me demokraci të mirëfilltë, ecuria e njerëzve të tillë, të cilët gjithë veprimtarinë e tyre e kanë të bazuar në malverzime, dihet se si do të përfundonte. Së pari do të vinin dorëheqjet e shkarkimet, e më pas burgosja. Mirëpo, në një shtet ku përgjimet zbërthejnë të vërtetën edhe për emërimet e  prokurorëve e të policëve, një gjë e tillë nuk mund të jetë as e gjasshme. Njëri nga tiparet kryesor të kësaj qeverisje me bazë në kapot e krimit, është shkrirja e dallimeve deri në zhdukje të pushteteve e institucioneve të pavarura. Gjithçka, nga marrja e vendimeve e deri te ekzekutimi i tyre, përfshirë edhe policinë e prokurorinë, e bënë të qartë se një aktakuzë e kësaj të fundit, apo një vendim gjykate, ironikisht shkruhet në zyrën e partive politike në pushtet.

Rëndom, kur format institucionale humbasin efektin, e populli është i shtypur e i papërfaqësuar, diku përmes varfërisë, e diku tjetër përmes arrestimeve e burgosjeve nga levat me bazë në aferat pronto, është sheshi ai që ka ditur të zgjidhë probleme të mëdha. E pritshmëritë që fuqia e sheshit të vihet në jetë është pikërisht tani, kur po tentohet që vendit t’i merren afër nëntë mijë hektarë tokë me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ka një ngjasim gati thelbësor në mes të një qeverie të korruptuar dhe qasjes së saj nënshtruese e koncensioneve ndaj shteteve tjera. Pashmangshëm, piramida e korrupsionit dhe kriminalitetit me bazë politike mbahet vetëm duke e blerë heshtjen e ndërkombëtareve e pranuar nënshtrimin kundrejt Serbisë, herë duke bërë kompromise që cenojnë sovranitetin shtetëror, falur apo shitur pjesë të territorit, e herë tjetër duke ofruar fabrika shtetërore strategjike apo dhënë në shfrytëzim të burimeve natyrore poseduese.

Nën dendësinë e reve të përgjimeve dhe 72 dosjeve për korrupsion dhe keqpërdorime, kapot  kurrsesi nuk të mund jenë të denjë për vendime shtetndërtuese. Natyrshëm, demarkacioni dhe “Zajdenica” janë çmimi që po e paguajnë shteti dhe qytetarët, si amnisti e keqpërdorimeve të tyre, ndërsa qytetarët po e vuajnë edhe varfërinë.

Nën moton “vidhi që të varfërohen e varfëroji që t’i sundosh”, kjo kastë politike e ngriti piramidën e tyre kriminale për ta fundosur më pas shtetin, e bashkë me të edhe mirëqenien e qytetarëve.

Nën kërcënimin dhe shantazhet për liberalizim të vizave, popullit të zënë përfund, po i kërkohet të përtypë turpin me bukë. Demarkacioni me Malin e Zi, do të shënjonte dhe vuloste poshtërimin, përveçse humbjen e territorit, një kthim të turpshëm mbrapa. Por, populli është kundër demarkacionit, argumentet politike, ligjore e ato profesionale të ekspertëve janë në anën e tij, ndërsa një Kuvend, që përkundër vullnetit të popullit e nën presion e kërcënime tenton të ratifikojë këtë marrëveshje, nuk mund të jetë një organ sovran që i përket të përfaqësojë vullnetin dhe të mbrojë interesat e qytetarëve.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme