Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zëvendës/Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Hoyt Brian Yee, ku kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-së.
Sipas njoftimit nga zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës, diplomati amerikan Hoyt Yee e ka përgëzuar Veselin për lidershipin e treguar në vendimmarrje, me theks të veçantë e vlerësoi partneritetin që FSK të shndërrohet në ushtri në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton Telegrafi.
Gjatë bisedës me diplomatin amerikan, Kryetari Veseli u shpreh se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të mëdha, sepse, në të kundërtën, ato e humbin kuptimin.
Në këtë drejtim, ata u pajtuan që Demarkacioni të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër.
Veseli dhe diplomati amerikan Hoyt Yee kanë biseduar edhe për reformat në drejtësi, të cilat duhet të vazhdojnë dhe të gjitha institucionet duhet të angazhohen që reforma në drejtësi të jetë një sukses.
Kryetari Veseli e ka falënderuar diplomatin Hoyt Yee për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën, ndërsa e ka ftuar atë për një vizitë tjetër në Kosovë.