Avni Zogiani
Kur thua “flluskat”, në kuptimin financiar, nënkupton kryesisht kredi ose elementë financiar të korruptuar dhe me gjasa për ndikim negativ në sistemin financiar, deri në kolaps.
Në numërin shumës, përvec tjerave, pra flluskat, kanë kuptimin e mashtrimit virtual. Mund të krijohen shumë flluska të vogëla, ose disa flluska të mëdha, por edhe kur ato janë të vogëla, edhe kur janë të mëdha, është e sigurt që janë të përkohshme, madje shumë jetë-shkurtër. Zgjasin ca, krijojnë një mashtrim vizuel shumë të këndshëm, dhe pëlcasin.
Në njejës, flluska ka një kuptim, por kryen dy funksione. Kur thuhet flluskë, mendohet izolim. Flluska, ndër të tjera, përdoret për izolimin e njeriut nga ambienti me qëllime sanitare, me qëllim të ruajtjes së sterilitetit të ambientit të brendshëm, të mbrojtjes së ambientit të jashtëm nga një virus brenda flluskës, apo thjesht, për ta izoluar një person.
Të gjitha këto flluska kanë kuptim tek presidenti ynë, Hashim Thaci. Të fillojmë nga kjo e fundit, flluska izoluese. Presidenti, tash sa vite jeton në flluskë në kuptimin diplomatik. Ai nuk takohet, nuk ftohet në ngjarje të rëndësishme diplomatike, shpesh diplomatët që vizitojnë Kosovën, zgjedhin profile të ulëta të takimeve me të.
Në kuptimin financiar, poashtu, presideni ka krijuar flluska. Ai ka përdorur buxhetin e Kosovës për qëllime elektorale, duke krijuar zotime të papërballueshme në këmbim të votave, gjë që herët apo vonë do të eksplodojë. Ai poashtu ka krijuar flluska të tjera për sektorin e financave publike, duke shtyer përpara kontrata e vendime që po e ekspozojnë Kosovën tepër shumë financiarisht. Dhjetra miliona euro ka humbur Kosova nëpër arbitrazhe deri sot, pikërisht për shkak të flluskave që para së gjithash e kanë origjinën nga koha e Thacit në qeveri.
Thaci poashtu ka krijuar flluskat në formë të investimeve, të cilat e kanë kolapsuar Kosovën si shtet dhe si ekonomi, duke hedhur në mënyrë disproporcionale financim në ndërtimin e rrugëve me qëllim të krijimit të efektit vizuel, por që në esencë vetëm kanë shkatërruar sektorët tjerë ekonomik e publik. Këto flluska kanë pa-mundësuar zhvillimin ekonomik të Kosovës, kanë minuar mundësitë e uljes së papunësisë dhe varfërisë, si dhe kanë siguruar që miliarda euro të ikin nga Kosova, duke shkaktuar kështu mylljen e qindra bizneseve vendore, të cilat thjesht kanë ngelur pa biznes, sepse një konzorcium i huaj, Bechtel-Enka, ka marrë jo-proporcionalisht shumë para, e të cilat pastaj i ka nxerur nga tregu. Në anën tjetër, me këto investime, ai ka thelluar papunësinë, duke qenë se i njejti konzorcium, jo vetëm që ka marrë pjesën dërmuese të ndërtimit të rrugëve, por edhe ka marrë punëtorë nga jasht dhe ka larguar nga puna punëtorët kosovarë, përvec punëtorëve që u larguan nga mbyllja e bizneseve vendore si rezultat i këtyre investimeve të udhëhequra nga blerja e përkrahjes diplomatike dhe elektorale.
Gjithsesi, këto janë vetëm disa nga mundësitë e shprehjes së presidentit Thaci nëpërmjet figurës së flluskës. Kudo që ka shkelur ai ka bërë vetëm mashtrime me efekte vizuele, duke mos bërë asgjë përmbajtësore, dhe si rezultat final, e ka shndërruar veten dhe Kosovën në një vend të izoluar, duke detyruar qytetarët e saj të jetojnë në një flluskë gjigande, situatë e cila i ka shtyer njerëzit të mësyejnë ikjen nga po kjo flluskë, që ndonjëherë ka rezultuar edhe me fundosjen e familjeve në Lumin Tisa.
Nga flluska nuk mund të bësh asgjë, vecse të nxerësh flluska tjera. Duket se ktë e ka kuptuar presidenti Thaci, dhe tërë taktika e tij sot është e bazuar në nxerjen e flluskave të një-pas-njëshme, me qëllim të mashtrimit të opinionit publik nëpërmjet iluzioneve optike. Kohë më parë, ai krijoi flluskën e ushtrisë, e cila plasi akoma pa u ngritur. Tashti, 18 vjet pas lufte ai po përgadit një flluskë tjetër, padinë ndaj Serbisë për gjenocid, me qëllim të humbjes së vëmendjes nga ajo tjetra, pra ushtria.
Mirëpo, kushdo që është duke e këshilluar presidentin për marrëdhënje me publikun, është duke e shtyer atë drejt një fluturimi final të pashmangshëm në drejtim të panjohur. Ndërkohë që ai po prodhon flluska të tilla, si ajo e ushtrisë dhe e gjenocidit (e cila pritet të shpërthej së shpejti), pashmangshëm po i rritet flluska e tij izoluese. Në fund, ai do të ngelet vetëm me këshilltarin e tij fantastiko-shkencor për marrëdhënje me publikun, i cili, të jetë i sigurtë presidenti, do ta braktisë flluskën në momentin e duhur, kështu që në fund presidenti do të fluturojë në drejtim të panjohur, i vetëm, si shtriga në “Magjistarin e Ozit”. Kjo ka për të ndodhur pashmangshëm, sepse flluskat janë shumë të përkohshme, dhe interesimi për to eventualisht vënitet.
E vetmja flluskë që do të qëndrojë, është ajo sanitare, e cila për dallim nga të tjerat nuk përbëhet nga kombinimi i ujit me shampo, por është një flluskë solide prej plast-mase, e cila do ta mbajë presidentin aty ku është, derisa të fryhet mjaftueshëm për ta bartur atë gjetiu, në një drejtim të panjohur për të cilin populli e ka një fjalë… Dhe në fund, sërish, dua ta siguroj presidentin, se askush nuk do të ketë vëmendjen për ikjen e tij së bashku me flluskën, sepse kur kjo do të ndodhë, ne do të jemi argëtuar mjaftueshëm dhe një flluskë më shumë që fluturon, sado gjigande që të jetë, nuk do të na duket fare interesante.
Prandaj, president, duhet ta kuptosh, se spin-doktorët që ke mbledhur rreth vetes, nuk ta duan të mirën. Ata kanë për të blerë edhe ca kohë, por në fakt janë pikërisht ata që të kanë futur, pa-vrejtshëm, në flluskën tënde, edhe pse, fatkeqësisht, bashkë me ty e kanë futur edhe Kosovën aty. Sido që të jetë, sot duket se nuk ke për të arritur të krijosh gjë tjetër vec flluskave, sepse duket se ke humbur kapacitetin real që të mendosh./Ndryshe.net