Ende nuk ka ndonjë sinjal nga Qeveria e Kosovës nëse marrëveshja për shënimin e vijës kufitar me Malin e Zi do të procedohet në Kuvend të Kosovës gjatë kësaj jave, siç kishte paralajmërua Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Gjatë ditës së sotme pritet që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa të kthehet nga Brukseli, e zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu i ka thënë REL-it, se kryeministri ka shkuar të përpiqet t`i bind zyrtarët e Brukselit që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave.
“Janë çështje procedurale, ligjore, të përcaktuara qartë. Duhet që ne si Qeveri, kryeministri Mustafa, si udhëheqës i Qeverisë, ta riprocedojë tutje, ta vazhdojë procedurën e dërgimit të projektligjit nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës dhe vetëm atëherë Kuvendi mund ta marrë në shqyrtim çështjen në fjalë”.
GazetaBlic ka provuar të kontaktojë zyrën e kryeministrit për të pyetur se si ka shkuar vizita e kryeministrit në Bruksel, por ka qenë i pamundur kontakti me ta.
E,në agjendën e Veselit e shënuar është vetëm pjesëmarrja e tij në një ceremoni përurimi, shkruan GazetaBlic.
Gjithashtu edhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, merr pjesë në konferencë ndër-parlamentare në Maltë, që nga 26 deri me 28 prill.
Në këto rrethana kuptohet se çështja e procedimit të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës gjatë kësaj jave, siç kishte deklaruara kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka dështuar.
Sipas deputetëve, Demarkacioni nuk po procedohet në Kuvend pasi që nuk kanë arritur që t`i sigurojnë votat për kalimin e tij. /GazetaBlic.com/