Politika e bashkuar shqiptare

Kuvendet dhe Qeveritë janë rezultat i zgjedhjeve të lira. Kështu është edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Por, për të ndryshuar mentalitetin mbizotërues politik, ‘zgjedhjet’  (në të gjitha format e mundshme), duhet të bëhen për çdo ditë të lume.

Ka së paku dy javë, në mos edhe më shumë, kur në çdo mbrëmje, në lajmet kryesore të televizioneve tona, përsëriten të njejtat raporte dhe sqarime që konfirmojnë probleme serioze politike në trekëndëshin Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, të cilat diku edhe kanë marrë trajtën e krizës evidente, e diku tjetër, edhe paralajmërojnë hyrjen në krizë së mirëfilltë.

Diçka nuk është në rregull me demokracinë, parlamentarizmin dhe politikën në këtë tri shtete. Apo, elitat politike  (ashtu i quajmë të gjithë), nuk janë në rregull me demokracinë, parlamentarizmin dhe polizikën në Maqedoni, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Shembulli më i rëndë, i cili aktualisht graviton kah vlerësimi i të qenit i pashpresë, është ai i Maqedonisë. Zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, si kudo në demokraci, kanë pajisur me legjitimitet një shumicë parlamentare, të cilën një President, që përdorë parimin e legalitetit, nuk po e lejon ta krijojë Qeverinë e re të këtij shteti. Thirrjet e njëpasnjëshme të të gjitha instancave relevante ndërkombëtare, që Presidenti Ivanov ta mandatojë Kryeministrin e ri të Maqedonisë  (Zoran Zaevin), nuk i lanë fare shenjë atij. Kuvendi i Maqedonisë ende po vazhdon ta mbajë seancën konstitutive. Askush nuk di, as në Maqedoni dhe as në Botë, si do të përfundojë kjo krizë e thellë politike në Maqedoni. S’do mend që autoritetet e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk kanë interes që një situatë e qartë politke, e përplasjes midis tendencave autoritariste dhe demokratike në një vend, të transformohet në konflikt politik me prapavijë etnike. Por, këtë interes duhet ta artikulojnë shumë më qartë instancat më të larta në Prishtinë dhe në Tiranë, dhe poashtu, ta bëjnë sa më shpesh qëndrim publik. Stabiliteti i Maqedonisë është interes strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë. Gjithsesi, ky është edhe interes i BE-së, i SHBA-së dhe i Paktit NATO.

Teksa në Maqedoni, megjithatë, kemi të bëjmë me rrethana që vetëm pjesërisht janë në duartë e politikanëve shqiptarë atje, në rastin e politikave në Shqipëri dhe në Kosovë, autorësia e plotë e rrethanave të ndërlikuara, të vështira, të rrezikshme madje, i takon politikanëve shqiptarë.

Kur bëhet fjalë për zhvillimet në Shqipëri, dihet që atje është dashtë të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare me 18 qershor. Raportet në mes të partive kryesore shqiptare, të thuash që nga instalimi i demokracisë parlamentare, shquhen me mosdurim të vazhdueshëm, me kriminalizim të konkurencës, me një qasje politike që karakterizohet me një luftë për ‘jetë a vekje’, ku rëndom pëson, me të tërat, shteti shqiptar.

Për vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët nuk kanë informacione të shumta se çfarë po ndodhë në të vërtetë në Shqipëri, (ndërsa këto informacione jo që të ndihmojnë ta krijosh një tabllo më të plotë për politikën në Shqipëri, përkundrazi), i tërë rrëfimi ka primesa të theksuara absurdi, apo, ai, në variantin më të mirë të tij, është kallëzim i keq për një mentalitet politik që nuk po ndryshon tek politikanët shqiptarë, që nuk duan dhe mbase nuk munden, ta subordinojnë agjendën personale dhe të partive të tyre, interesit jetik të  vet shtetit të Shqipërisë.

Është kjo një politikë që të frustron, të lodhë, të raskapitë, nëse je një qytetar i rëndomtë i Shqipërisë, që është vetëm votues e jo edhe pjesë e lojës së këtillë politike.

Politika shqiptare në Kosovë, e cila deri para gjashtë-shtatë viteve kishte një tipar të veçantë, atë të respektimit të ‘rregulave të lojës’ dhe të mbështetjes së interesit jetik të Kosovës, megjithë tensioneve të vazhdueshme politike, ka ecur me hapa të qartë kah ‘unifikimi’ i sjelljes, qasjes dhe mendimit politik me atë të politikës në Shqipëri.

Kjo mund të thuhet sidomos për këtë legjislaturë të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e qershorit të vitit 2014.

Politika shqiptare në Kosovë po dështon në marrjen e vendimeve madhore për vendin, çfarë është ai që përkon me Marrëveshjen ndërkufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Shtegdalja duket që do të kërkohet në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat sërish, si në dy rastet paraprake  (në vitet 2010 dhe 2014), do të kenë epitetin legal dhe politik të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Është kjo një politikë që të frustron, të lodhë, të raskapitë, nëse je një qytetar i rëndomtë i Kosovës, që është vetëm votues e jo edhe pjesë e lojës së këtillë politike.

Kuvendet dhe Qeveritë gjithsesi janë rezultat i zgjedhjeve të lira. Kështu është edhe në Kosovë, ashtu duhet të jetë edhe në Shqipëri. Por, për të ndryshuar mentalitetin mbizotërues politik, ‘zgjedhjet’  (në të gjitha format e mundshme), duhet të bëhen për çdo ditë të lume.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme