Ish ministri i arsimit dhe mik i afërt i Zijadin Selës, Sulejman Rushiti, ka kritikuar ashpër ministrat e BDI-së të cilët janë fotografuar në kabinetin e kryeparlamentarit Talat Xhaferi dhe e kanë publikuar në rrjetet sociale, duke dashur të fitojnë pikë politike.
“Ta kishit menduar mirë këtë punë, nuk do ta kishit shkelë atë zyrë pa e shkelë Ziadin Sela, nuk do të silleshit me triumfalizëm tribal, sikur është pronë private e juaja”, ka shkruar Rushiti. Mirëpo kritikat e tij ndaj ministrave të Emil Dimitrievit nuk ndalen këtu. “Nuk do të turreshit me hyxhym për fushatë me selfie! Ç’ti bësh, dikush bën politikë, dikush bën selfie! Kjo foto më ka lënduar njësoj si pamjet tribale të tentim vrasjes së Ziadinit. A nuk pat kush i mençur të ju mësojë, apo nuk dëgjoni askënd të dehur nga pushteti!P.S. Ne nuk kërkuam të kërkoni falje për dekadën e mbajtjes në jetë të regjimit diktatorial por ama këtë krenari nuk e durojmë dot!”, shkruan Rushiti.